Derisa forca të shumta policore nga njësia EULEX-it po bastisin shtëpinë e Jakup Krasniqit duke bllokuar edhe rrugën në të cilën gjendet shtëpia e tij, nipi i tij Dardan Krasniqi ka thënë për KosovaPress se nuk ka pasur më parë ndonjë njoftim paraprak.
Ai është i zhgënjyer sesi askush nga familjarët nuk është lejuar të afrohet tek shtëpia e Jakup Krasniqit, ku edhe po qëndrojnë forca të shumta policore nga njësia e EULEX-it.
“Momenteve të fundit nuk ka pasur diçka konkrete të tillë. Për rastësi unë edhe mbrëmë kam qëndruar me të deri vonë ndejë krejt familjare, nuk është vërejtur diçka. Ajo çka ne e dimë është që prej orës 5-6 të mëngjesit kanë ardhë këtu me gjithë këtë numër të madh të veturave dhe numër të madh të policëve. Ajo që po na shqetëson është se nuk po na lënë të afrohemi për të parë se nëse ka nevojë për diçka. E vërteta është se kanë ardhur, nuk kemi pasur njoftim. Edhe ne jemi spektatorë sikur ju”, tha ai.
Nipi i Jakup Krasniqit shkrehi bindjen e tij të plotë në pastërtinë e luftës së Jakup Krasniqit.
“Është ditë që njerëzit që kanë qenë pjesë e UÇK-së do të ballafaqohen me këto gjëra. Unë jam i bindur në atë se ky nuk mund të përfaqësoj pjesën kriminale, nuk ka të bëjë me atë far pune. Pjesën tjetër mbetet të shohim”, u shpreh ai.