Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Artan Nimani, ka shënuar përvjetorin e 26-të të Masakrës së Reçakut, duke e cilësuar atë një ngjarje të skalitur në kujtesën historike të popullit shqiptar si simbol të dhimbjes, guximit dhe kërkimit për drejtësi.
Në një postim në rrjetet sociale, Nimani ka kujtuar se më 15 janar 1999, forcat serbe kryen një akt barbar ndaj popullsisë civile të fshatit Reçak, ku humbën jetën 45 civilë të pafajshëm. Ai theksoi se ky krim, i dënuar ndërkombëtarisht, ka shënuar një kthesë të rëndësishme në ndërgjegjësimin botëror për padrejtësitë dhe krimet e luftës në Kosovë.
Nimani ka theksuar gjithashtu se masakra e Reçakut nuk ishte vetëm një tragjedi njerëzore, por edhe një thirrje për veprim, duke i kujtuar pamjet e tmerrshme dhe dëshmitë e mbledhura nga Ambasadorin William Walker, të cilat tronditën botën dhe çuan në përshpejtimin e ndërhyrjes ndërkombëtare. Ai vlerësoi se kjo masakër shërbeu si katalizator për ndërhyrjen humanitare të NATO-s, që çliroi Kosovën nga dekada të tëra dhune dhe shtypjeje.