Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.H., për “vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.H., më 23 tetor të këtij viti, në Viti ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin R.E., për shkak të mosmarrëveshjeve verbale që kanë pasur mes vete.
“I pandehuri me mjet të përshtatshëm, me thikë e ka goditur të dëmtuarin në anën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
I dyshuari B.H., me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, gjendet nën masën e paraburgimit prej 23 tetorit të këtij viti.