Karatisti i njohur, Elhami Shabani, ka pasionin dhe përkushtimin e një sportisti që ka kaluar nëpër shumë sfida për të arritur sukses.
Nga një fëmijë i thjeshtë që ëndërronte të bëhej “fëmija më i fortë në lagje”, ai arriti të bëhet një nga më të mirët në fushën e karatesë, duke përballuar shumë vështirësi, përfshirë mungesën e mundësive dhe kushteve të përshtatshme.
Në një rrëfim për “Front Online”, Shabani ndan historinë e tij të jashtëzakonshme, duke treguar si filloi karrierën e tij që në moshën 5 vjeçare, sfidat që e ndaluan dhe suksesi që e motivuan për të vazhduar.
Pavarësisht kushteve të vështira, ai e ka mbajtur flakën e pasionit për karatenë të ndezur, duke e bërë atë një nga sportistët më të shquar të Kosovës.
Ai tregon se interesi për karate lindi nga një propozim i babait të tij, i cili kishte praktikuar këtë sport dhe e inkurajoi që ta provonte.
Shabani thekson se që nga mosha 5 vjeçare ka filluar të merret me karate
“Interesimi për karate filloi nga një propozim i babait tim, i cili më sugjeroi ta provoja këtë sport, pasi ai vet është marr me këtë sport. Dëshira ime për t’u bërë “fëmija më i fortë në lagje” dhe “fëmija më i fortë në klasë” ishte një motivim shtesë. Fillova të ndihem shumë më mirë dhe nuk e ndala karaten asnjëherë, që nga mosha 5 vjeçare”.
Megjithatë, duke u rritur, përgjegjësitë e tij u shtuan.
Në moshën 14 vjeçare, pas përfundimit të klasës së 8-të, ai duhej të mësonte një zanat për të siguruar jetesën, duke e bërë rutinën e tij ditore shumë të ngarkuar.
“Si i ri, nuk pata mundësinë të përqendrohem vetëm në sport dhe shkollë, që nga mosha (14 vjeçare), pas përfundimit të klasës së 8-të, më duhej të mësoja një zanat. Në atë kohë të gjithë mendonin se ishte e nevojshme të kisha një profesion tjetër për të mbijetuar, pasi vetëm nga shkolla dhe sporti nuk mund të mbështetesha”.
Pavarësisht kushteve të vështira, Shabani vazhdonte me ushtrimet e mbrëmjes në oborrin e shtëpisë, duke përdorur pemët e kopshtit si improvizime për trajnimin e tij.
Përkushtimi dhe dëshira e madhe e tij për t’u përmirësuar nuk e ndaluan asnjëherë.
“Zgjohesha në ora 6 të mëngjesit, për të vrapuar, pastaj shkoja në shkollë. Më duhej të shkoja të punoja dhe të mësoja zanatin e rregullimit të veturave. Rreth orës 7-8 të mbrëmjes, kthehesha në shtëpi dhe vijoja me ushtrimet e mbrëmjes në oborrin e shtëpisë. Kushtet nuk ishin ideale, por improvizova duke përdorur pemët që kishim në kopshtin e shtëpisë për të ushtruar. Kjo rutinë nuk zgjati një ditë, por më shumë se një dekadë”.
Karatisti Elhami Shabani ka rrëfyer për momentet e vështira dhe të suksesshme që kanë shoqëruar karrierën e tij sportive.
Një nga pengesat më të mëdha ka qenë mungesa e mundësive për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare për shkak të statusit të Kosovës.
Deri në moshën 23 vjeçare, për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së njohjes ndërkombëtare, Shabani nuk pati mundësi të merrte pjesë në kampionate botërore ose evropiane.
“Nga fillimet e mia, kam kaluar nëpër periudha të vështira, por gjithashtu edhe momentet e sukseseve dhe krenarisë. Karateja ka qenë një pasion i madh për mua që nga mosha 5 vjeçare. Një nga vështirësitë kryesore që kam pasur ka qenë mungesa e mundësive për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare për shkak të statusit të Kosovës. Deri në moshën 23 vjeçare, për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së njohjes ndërkombëtare, nuk pata mundësi të marrë pjesë në kampionate botërore ose evropiane”.
Një tjetër sfidë e madhe ishte aspekti financiar, pasi gjatë shumë garave Shabani udhëtonte me burime shumë të kufizuara financiare dhe kishte vështirësi për të mbuluar shpenzimet bazë.
Megjithatë, këto vështirësi nuk e ndaluan.
“Një tjetër sfidë që kam kaluar ka qenë aspekti financiar. Gjatë shumë garave, kam udhëtuar me burime shumë të kufizuara dhe kam pasur probleme për të mbuluar shpenzimet bazë. Por këto vështirësi më kanë bërë më të fortë dhe më të vendosur”.
Me 50 Euro në xhep për në Austri për gara ndërkombëtare: Historia e karrierës së Elhami Shabanit
Karatisti Elhami Shabani ka ndarë përvojat e tij të vështira dhe të veçanta gjatë karrierës së tij, të cilat kanë formuar karakterin e tij si sportist.
Ai kujton një moment të vështirë kur udhëtoi në Austri për një garë ndërkombëtare, duke pasur vetëm 50 euro në xhep, të cilat duhet t’i përdorte për shpenzime të gjitha.
Në një situatë stresuese, pasi nuk kishte para për drekë, ai e ndau ushqimin deri në darkë, duke mësuar shumë për menaxhimin e situatave të vështira.
“Pjesëmarrja në gara ndërkombëtare, ku ndodheshim përballë sportistëve nga shtete me kushte shumë më të mira. Kur ishim në Austri për një garë, udhëtoja me vetëm 50 euro në xhep, të cilat duhej të mjaftonin për të ngrënë dhe për shpenzimet e tjera. Ishte një situatë shumë stresuese. Më kujtohet një moment kur më duhet të paguaj taksin për transportin e paplanifikuar dhe m’ beta pa para për drekë”.
Ky moment i vështirë e ndihmoi të kuptojë se sfidat financiare dhe logistike janë pjesë e jetës së një sportisti.
Shabani gjithashtu thekson se për të, përkushtimi dhe dëshira për të arritur rezultate e kanë shtyrë përpara, pavarësisht kushteve të vështira.
Përfundimisht, Shabani ka mësuar se sfidat nuk janë pengesë, por mundësi për të u rritur dhe për të treguar forcën e karakterit.
Ai është krenar për çdo arritje dhe çdo hap që ka bërë deri tani në karrierën e tij.
“Nuk e humba vullnetin dhe vazhdova të luftoj për mundësitë që do të vinin më vonë. Një tjetër moment që dua të përmend është përvoja e garave ndërkombëtare, ku gjithmonë udhëtonim pa mbështetje mjekësore dhe fizioterapistike. Pavarësisht kushteve, kemi treguar se mund të arrijmë rezultate të shkëlqyera, duke e bërë çdo mundësi të mundshme”.
Sukseset që shënuan karrierën dhe momenti i krenarisë në Kampionatin Evropian të Elhami Shabanit
Karatisti Elhami Shabani ka arritur disa nga sukseset më të mëdha në karrierën e tij, duke u shpallur kampion i Kosovës për 16 vite dhe kampion mbarkombëtar për 12 vite.
Ai gjithashtu ka fituar tituj të rëndësishëm në nivele ballkanike dhe evropiane, duke u renditur nënkampion ballkanik individual dhe duke marrë vendin e tretë në kampionatin ballkanik me ekipin e Kosovës.
Një tjetër arritje e veçantë ka qenë vendi i dytë në kampionatin evropian për regjione me ekipin e Kosovës.
“Një ndër arritjet kryesore është që kam qenë kampion i Kosovës për 16 vite, kampion Mbarëkombëtar 12 vite. Kam qenë nën kampion ballkanik individual dhe kam arritur vendin e tretë në kampionatin ballkanik me ekipin e Kosovës. Një arritje e rëndësishme ka qenë vendi i dytë në kampionatin evropian për regjione me ekipin e Kosovës”.
Por për Shabanin, arritja më e madhe mbetet fitimi i medaljes së bronztë në kampionatin evropian për seniorë në vitin 2022.
Kjo medalje e çmuar është një moment i paharrueshëm në karrierën e tij, duke i dhënë atij forcën dhe motivimin për të vazhduar të luftojë në rrugën e tij të sukseseve.
“Arritja që më bën më krenar është fitimi i vendit të tretë në kampionatin evropian për seniorë në vitin 2022. Kjo medalje është një nga momentet më të veçanta dhe më të mira që kam përjetuar gjatë karrierës time. Ky është një moment që më ka dhënë forcën të vazhdoj të luftoj dhe të besoj që pavarësisht sfidave”.
Aktualisht Shabani është profesor dhe në përfundim të Doktoratues për Edukim Fizik dhe Sport.
“Tash jam i 3ti i Evropës, jam Profesor dhe në përfundim të Doktoratures “Doktor shkence për Edukim Fizik, Sport dhe shëndet” dhe pjesën tjetër të jetës që më ka mbet ndihem shume krenar me veten”.
Qëllimet e tij për më tutje janë të vazhdoj punën si trajner në klubin e tij, ku të gjithë eksperiencën ta transmetoj tek sportistët e rinjë.
“Tani qëllimet e mia janë të vazhdoj si trajner në klubin tim, ku gjithë përvojën time dhe eksperiencën ta transmetoj tek të rinjtë, që ata të arrijnë suksese dhe benefite edhe me te mëdha se ato te miat”.
Karatisti Elhami Shabani, ka dhënë një këshillë të vlefshme për ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e sportit të karatës dhe të arrijnë sukses.
“Mos u dorëzohuni dhe punoni fort për atë që dëshironi.”
Ai theksoi se sukseset nuk vijnë menjëherë dhe se shumë të rinj bëhen të frustruar kur nuk shohin rezultate të shpejta.
“Nëse nuk shihni përparim brenda disa muajsh, mund të jeni tërhequr nga ideja e suksesit, por ky është një gabim,” tha Shabani.
Karatisti Elhami Shabani ka shprehur falënderimet e tij për mbështetjen dhe kujdesin që ka marrë gjatë karrierës së tij.
Ai ka falënderuar dhe ka ndarë mirënjohjen për babain e tij, i cili ka qenë një mbështetje e pakushtëzuar në çdo situatë.
Po ashtu, ai ka falënderuar trajnerët e tij, të cilët kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e tij si sportist, duke e udhëzuar në hapat e parë të karatës.
“Falënderim i veçantë i takon babait tim për kujdesin dhe mbështetjen e pa rezervë në të gjitha situatat e mia, gjithashtu i falënderoj të gjithë trajnerët e mi që kanë qenë me mua gjatë rrugëtimit tim në karate dhe që më kanë udhëzuar në hapat e parë të këtij sporti. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin tim si sportist”, përfundoi rrëfimin për “Front Online” karateisti Elhami Shabani.