Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, nëkryetyari i saj Lulzim Blakaj dhe një zyrtar tjetër i kësaj komune janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Të njëjtit, dyshohen për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
“Mund të konfirmojmë se hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) më, 09.10.2020 kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’”, thuhet në njoftim, shkruan Insajderi.
Lajmin për arrestimin e të njëjtëve, e ka konfirmuar prokurorja kujdestare në Prokurorinë Themelore të Pejës, Valbona Dishaj-Haxhosaj.
“Po mund të ju konfirmoj se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë është arrestuar Kryetari i Komunës së Istogut, nënkryetari i kësaj komune dhe një zyrtar tjetër. Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit” ka thënë Dishaj-Haxhosaj.
Ndryshe, Haki Rugova aktualisht është duke u gjykuar nga Gjykata e Pejës për veprën penale të konflitit të interesit.
Të dyshuarit, pas intervistimit me vendim Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, ju është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Lidhja Demokratike e Kosovës, nënkryetar i së cilës është Rugova, ende nuk e ka dhënë asnjë deklaratër për arrestimin e zyrtarit të saj.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar disa nga zyrtarët më të rëndësishëm të partisë së Isa Mustafës, por asnjëri nga ta nuk është përgjigjur deri tash.