Vetëm 9 milionë euro për investime kapitale ka shpenzuar komuna e Prishtinës gjatë këtij viti, nga 49 milionë sa i ka në dispozicion për këtë kategori.
Për këtë, ekzekutivi komunal të martën u përball me kritika nga opozita në seancën e Kuvendit Komunal të kryeqytetit gjatë shqyrtimit të raportit financiar për tremujorin e tretë.
Në seancën e cila u mbajt në mënyrë elektronike për shkak të rrezikut nga virusi COVID-19, kryetari Shpend Ahmeti ishte i pranishëm kur u fol për pandeminë, por ai nuk mori pjesë në diskutimin e të gjeturave të këtij raporti.
Performancën jo të mirë në shpenzimin e buxhetit, nënkryetari Muhedin Nushi e arsyetoi me pasojat e pandemisë.“Vonesa e miratimit të buxhetit në nivel të Republikës ka shkaktuar probleme. Probleme kemi pasur në kohën kur prokurimi nuk ka qenë funksional. Shumica e komunave në fund të vitit do të kenë suficit”, tha Nushi.
Megjithëse shpenzimet për investime kapitale janë një milion euro më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, këtë vlerë LDK-ja e ka vlerësuar të pamjaftueshme.
“Me këtë trend të shpenzimeve, për vitin e ardhshëm do të barten së paku 30 milionë euro dhe kjo është e papranueshme për komunën, sepse do të mund të ndërtoheshin shkolla. Duhet të punohet më shumë dhe të shfrytëzohet buxheti i komunës”, tha kryetari i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Halim Halimi.
Lëvizja Vetëvendosje e PDK-ja e kanë thënë se mos-shpenzimi i buxhetit është bërë praktikë çdo vit dhe se nuk ka të bëjë me pandeminë.
“E kemi drejtorinë e bujqësisë nuk e ka shpenzuar as edhe një cent që është shqetësuese që nuk punojnë aq sa duhet, nuk është hera e parë dhe nuk është arsye pandemia, deklaroi Mirsad Vitia, këshilltar komunal i LVV-së.
“Kjo dëshmon për një mungesë të vizionit dhe mos-seriozitet të kësaj qeverisjeje që ta realizojë buxhetin në mënyrë sa më të mirë. Nëse ka kaq shumë drejtori dhe kaq pak realizim, pse ekzistojnë? Duhet të mbyllen atëherë”, tha Leotrim Retkoceri, këshilltar komunal i PDK-së.
Keq Komuna e Prishtinës qëndron edhe me të hyra vetanake. Në pandemi gjatë korrikut, gushtit e shtatorit të këtij viti qytetarët kanë paguar më pak tatim në pronë, faturat e mbeturinave, duke bërë që të hyrat të bien për 1 milion e 300 mijë euro.
Mbi 120 milionë euro ka pasur komuna në arkën e saj këtë vit, prej të cilave mbi 27 milionë euro i ka bartur nga mosrealizimi i projekteve viteve paraprake.