Në shtetin ku dallimi në vota mes dy kandidatëve për president të ShBA-së është më i vogli, Nevada, të mërkurën ka ngecur procesi i numërimit të votave.
Nënsekretari i Shtetit në Nevada të Shteteve të Bashkuara, Wayne Thorley, i tha një televizioni lokal fillimisht se shpreson që zyra e tij të publikojë më shumë rezultate. Megjithatë, ai më vonë konfirmoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Sipas këtij zyrtari, përditësimi i ardhshëm i të dhënave do të bëhet në orën nëntë të mëngjesit të së enjtes sipas kohës lokale si dhe shtoi se nga kjo orë do të publikohen të dhënat për një distrikt të tërë njëkohësisht në faqen e internetit.
I pyetur se a ekziston ndonjë dëshmi për mashtrim apo manipulim të votave në Nevada, ai tha: “Jo. Nuk ka dëshmi për manipulim të koordinuar apo të gjerë. Kemi marrë disa ankesa dhe dyshime dhe ato deri në këtë pikë janë vetëm dyshime të cilat po i shikojmë, por të pavërtetuara. Por jo, nuk ka dëshmi për manipulim të votave.”
Ai shtoi se më pak se dhjetë raste të dyshimeve janë duke u hetuar dhe se organet e sundimit të ligjin janë të përfshira në këtë proces, shkruan “8neësnoë”.
Të martën u raportua se një gjykatës ka urdhëruar që 30 qendra votimi të qëndrojnë të hapura edhe për një orë shtesë pas kërkesës së Partisë Republikane për një gjë të tillë shkak se këto qendra u hapën me vonesë si pasojë e problemeve teknike.
Për më tepër, distriktet Clark dhe Washoe kanë pasur informata kundërthënëse gjatë ditës deri pasditen e së mërkurës. Bazuar në regjistrat e këtyre dy lokacioneve, nga e pasditja e së mërkurës nuk është raportuar për rezultate shtesë.
E gara më e ngushtë në aspektin e shifrave është duke u zhvilluar pikërisht në Nevada. Ky shtet ka vetëm gjashtë vota në Kolegjin Zgjedhor, por mund të luajë rol vendimtar në fund, nëse rezultati i përgjithshëm është i përafërt apo i barabartë. Nga numërimi i 78 për qind të votave, Joe Biden është duke prirë me 588 mijë, me vetëm rreth 7.600 vota më shumë se rivali Donald Trump.
Ndryshe, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, kandidatja e atëhershme demokrate, Hillary Clinton, kishte fituar në këtë shtet në garë me Donald Trumpin, ndonëse kishte marrë më pak vota sesa që ka tani Joe Biden.