Dje rreth orës 07:15 në qytetin Bruckberg të Gjermanisë ka ndodhur një ngjarje tragjike.
Si pasojë e goditjes nga treni humbën jetën dy vëllezër nga fshati Ratishë e Deçanit.
Në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova ka folur një i afërm i familjes.
Mehmet Arifaj tha se përveç dy djemve që humbën jetën, me ta ishte edhe djali i dytë i cili nuk ka vazhduar me 17-vjeçarin respektivisht 13-vjeçarin.
“Mbrëmë isha tek ata. Aksidenti nuk e di tash a keni lexuar apo e keni parë, aksidenti na ka tronditur lërë neve familjarëve por edhe miqve dhe shokëve që i kemi. Si e kam marrëvesh aty ka qenë gruaja e djalit të axhës, e cila i ka dërguar me veturë deri aty tek treni për të shkuar në shkollë. Ashtu si më kanë treguar mbrëmë se nuk kam qenë aty. I ka çuar deri tek laura e trenit e cila është mbyll”.
“Treni i cili kanë pasur ata për të shkuar në shkollë e kanë parë aty të ndalur. Ata kanë menduar se treni po ik. Nuk kanë pritur fare duke i tejkaluar laurat tek hekurudha. Nuk e kanë menduar trenin tjetër që po vinte. Nuk e kanë parë duke ardhur dhe kanë vrapuar ku janë goditur më pas nga ky tren”.
“Nëna e tyre ka qenë me ata dhe e ka dëgjuar tragjedinë. Si kam dëgjuar unë, ajo ka rënë në shok. Djali i dytë ka qenë me ata. Ka dashur zoti, ka pasur ymër është ndal dhe nuk ka vrapuar. Ky është 14-vjeçar, i madhi 17-vjeçar ndërsa i vogli 13-vjeçar”.
Familjari i viktimave bën të ditur se trupat e viktimave janë nisur nga Gjermania për në Kosovë, ku nesër do të kryhet varrimi i tyre.
“Sonte janë nisur nga Gjermania kufomat e tyre dhe do të mbërrin në Kosovë. Në varrim pritet të ketë numër të madh të pjesëmarrësve”.