Mosmiratimi i Ligjit për Paga, e shumë kërkesa të tjera drejtuar Qeverisë së Kosovës, kanë bërë që sindikalistët e Shëndetësisë dhe Arsimit të ndërmarrin hapa më radikal konform moszbatueshmërisë së kërkesave të tyre.
Grevë të përshkallëzuar e protesta, po paralajmërojnë këto dy sindikata.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha për Front Online se nëse deri të enjten nuk marrin përgjigje atëherë do të ketë masa më radikale.
“Ajo varet prej Kryeministrit. Ne i kemi dërguar edhe një letër Kryeministrit, para mbledhjes së Këshillit Drejtues që e kemi të enjten, e nëse deri të enjten nuk e kemi përgjigjen nga ana e Kryeministrit, atëherë Këshilli Drejtues vendosë. Por, sipas të gjitha gjasave do të fillojmë me greva të përshkallëzuara, kjo i bie që mu ndërpre puna”, tha Syla për Front Online.
Ultimatum Qeverisë i ka dhënë edhe Sindikata Arsimit.
Ndryshe nga ajo e Shëndetësisë, këta afat Qeverisë i kanë dhënë deri më 4 dhjetor që t’i përmbushin kërkesat e tyre.
Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, tha se nëse nuk realizohen kërkesat, në janar do ta bllokojnë procesin mësimorë.
“Nëse me datën 4 dhjetor e bëjmë protestën me 150 deri 200 persona, me datën 18 të po atij muaji do ta mbajmë një protestë më të madhe rreth 700 deri 800 pjesëmarrës. Nëse edhe pas kësaj nuk reagon Qeveria, kemi me shku me greva të përshkallëzuara, ndoshta një ditëshe, ndoshta një orëshe dhe në janar do ta bllokojmë në total procesin mësimorë”, tha Ymeri për Front Online.
Lidhur me këto kërkesa, Front Online ka dërguar pyetje në Qeverisë, mirëpo të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit.
Pyetje për këtë çështje, nuk kanë kthyer as Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit.
Kërkesa kryesore e Sindikatave është miratimi i Ligjit për Paga, i cili sipas tyre do të vendoste barazinë sociale.
Përveç miratimit, ata po kërkojnë që Qeveria t’i merr parasysh edhe vërejtjet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për këtë ligj./FrontOnline