Numri i të infektuarve në Kosovë po vazhdon të rritet ndjeshëm, ku vetëm sot u konfirmuan 418 raste të reja, 188 prej tyre në Prishtinë. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se do të merren masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, e veçanërisht në kryeqytet. Por, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se nuk është njoftuar se do të merret ndonjë masë në kryeqytet.
Nesër do të mblidhet Komiteti për vlerësimin e situatës me COVID-19, ku pritet të merren masa të reja. Anipse nuk dihet se çfarë masash do të merren, as kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk është njoftuar paraprakisht se çfarë vendimesh do të merren për Prishtinën.
Ahmeti në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se nuk është i njoftuar për masat që do të merren në Prishtinë.
“Jo nuk jemi njoftuar”, tha Ahmeti.
I pari i Prishtinës, pas konfirmimit të 188 rasteve të reja me COVID-19 sot në Prishtinë ka reaguar përmes një postimi në Twitter. Ahmeti ka paralajmëruar se numrat do të shtohen edhe më shumë nëse nuk do të kufizohen daljet pa nevojë.
“Këtë që e thash para tre dite po ndodh tani. Mbi 400 raste. Numrat do të shtohen shumë nqs nuk kemi edhe përgjegjësi individuale për të kufizuar daljet pa nevojë. Kujdes!”, ka shkruar Ahmeti.
Në pesë ditët e fundit në Kosovë kanë qenë mbi 1 mijë e 500 raste pozitive me koronavirus, e shumica prej këtyre infektimeve janë nga Prishtinë.
Në Kosovë sot janë regjistruar edhe 418 persona të infektuar me koronavirusin e ri, që e shkakton COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur edhe 4 pacientë të cilët kanë qenë të prekur me COVID-19. IKSHPK thotë se janë shëruar edhe 67 persona, ndërsa numri i rasteve aktive është 3.126.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë infektuar 19.328 persona, prej të cilëve 678 kanë vdekur ndërsa 15.434 janë shëruar.