Në rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pa numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar me 51.64% të votave në Podujevë.
Në konferencën e fundit të KQZ-së për sot, kryetarja Valdete Daka bëri të ditur se Nexhmi Rudari, kandidati i LDK-së në Podujevë, parti kjo që deri tani ka qeverisur me këtë komunë për 20 vjet, ka marrë 35.97% të votave.
“Shpejtim Bulliqi, Lëvizja Vetëvendosje ka 51.64% të votave të numëruara, Nexhmi Rudari LDK ka 35.97 për qind dhe Naim Fetahu PDK ka 12.40 për qind të votave të numëruara. Këto janë rezultatet preliminare pa votat me musht dhe votat jashtë vendit. Në Mitrovicën e Veriut Lista Serbe Milan Radojeviq ka 89.81 për qind të votave të numëruara, Erden Atiq nga VV ka 3.68 për qind, Florent Azemi PDK 3.54 për qind”, tha Daka.
Gjatë ditës së nesërme do të bëhen të ditura rezultatet nga votat me kusht dhe të atyre me postë. Sipas KQZ-së, zgjedhjet e sotme në Podujevë dhe veri të Mitrovicës u zhvilluan qetë dhe me pak parregullsi, të cilat nuk cenuan integritetin e zgjedhjeve.