Të shtunën (nesër) në Istog përcaktohen skuadrat e fundit që do të luajnë në Superligat e Kosovës në hendboll në edicionin e ardhshëm.
Në palestrën e re të Istogut zhvillohen ndeshjet vendimtare të “Play-Out”-it, përmes të cilave caktohen skuadra që do të luajnë në Superligën e meshkujve dhe atë të femrave.
Nga ora 14:00 takohen skuadrat e hendbollisteve, Drita e Prizreni. Drita e Gjilanit këtë edicion ka luajtur në Superligë dhe është renditur e parafundit. Ndërkohë Prizreni luajti në Ligën e Parë dhe u rendit i dyti. Fituesi i ndeshjes Drita – Prizreni luan në Superligë në edicionin e ardhshëm garues.
Në Superligë ka kaluar Ulpiana, që ishte kampione e Ligës së Parë. Ndërsa nga liga elite është larguar KEK-u.
Prej orës 17:00 zhvillohet ndeshja mes Vushtrrisë dhe Rahovecit, që pritet të jetë e fortë e cilësore. Bëhet fjalë për dy skuadra të rëndësishme të hendbollistëve me pretendime që edicionin e ardhshëm të jenë në Superligë. Vushtrria mbeti e parafundit në elitë, ndërsa Rahoveci pas një gare të fortë doli i dyti në Ligën e Parë.
Në Superligë ka kaluar Deçani kurse nga elita është larguar Prizreni.