Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mbahet nesër (e diele) më 14 mars ku do të zgjidhet kryetari i partisë, duke respektuar në tërësisht masat anti-COVID-19, të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës si dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Kështu tha kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa.
Mustafa po ashtu u shpreh se kjo iu është bërë me dije të gjithë delegatëve, nëpër ftesat të cilat i kanë marrë.
“Në ftesë ua kemi bërë me dije delegatëve se do të respektohen masat anti-COVID. Kjo, sa jam i informuar, nënkupton matjen e temperaturës para se të hyjnë në sallë, dezinfektimin e duarve, bartjen e maskave, distancën nga njëri-tjetri, mos përshëndetjen me duar. Po ashtu edhe dezinfektimin e plotë të sallës”, ka thënë Mustafa për Telegrafin.
Kuvendi i LDK-së siç tha Mustafa do të fillojë nesër (e diel) nga ora 10:00 në Hotel Emerald.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të dielën do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm ku do të zgjidhet kryetari dhe organet tjera të partisë, kjo pasi nga zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit kjo parti u rendit e treta me radhë me 15 mandate të fituara në Parlamentin e Kosovës, e përbërë prej 120 deputetëve, i cili rezultat jo i mirë për LDK-në, bëri që kryetari i saj Isa Mustafa të jap dorëheqje nga pozita e tij.
Ndërkaq, deri më tani për kryetar të LDK-së kanë shpall kandidimin, nënkryetari i saj i deritashëm Lutfi Haziri, anëtari i kryesisë Lumir Abdixhiku, Anton Quni- ministër në detyrë i FSK-së dhe Besian Mustafa – ministër në detyrë i Bujqësisë, si dhe zëdhënës i kësaj partie.
Kryetari i ardhshëm i LDK-së i cili pritet të zgjidhet të dielën, do të ketë detyra dhe përgjegjësi për të cilat obligohet ti kryej gjatë mandatit të tij në udhëheqjen e kësaj partie.
Kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ishte Ibrahim Rugova i zgjedhur në tetor të vitit 1989 kur edhe u themelua kjo parti. Më pas në dhjetor të vitit 2006 kryetari i kësaj parti u zgjodh Fatmir Sejdiu, pasuar nga Isa Mustafa i cili e mori mandatin e të parit të LDK-së në muajin nëntor të vitit 2010./Front Online/