×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Nëse ka rritje ekonomike, pse nuk po e ndiejmë atë?

    FrontOnline
    03 Tetor 2024

    Institucionet kosovare, por edhe mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, kanë parashikuar se Kosova do të ketë rritje ekonomike prej rreth 4 për qind më 2024.

    Një rritje ekonomike në këtë nivel do të duhej të ofronte lehtësi në ngritjen e standardit jetësor. Por, megjithatë, ajo nuk pritet të ketë ndikim të madh në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, vlerësojnë njohësit e fushës së ekonomisë.

    Pse? Kjo rritje është e pamjaftueshme, tha për Radion Evropa e Lirë profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj.

    “Duke pasur parasysh bazën e kësaj rritjeje, që e kemi relativisht të ulët, nuk është e mjaftueshme për rritje ambicioze, qoftë të të ardhurave, qoftë të treguesve të tjerë makroekonomikë, në kuptim të rritjeve të mëdha buxhetore apo edhe rritjes së mirëqenies, pagave apo të kategorive qoftë sociale, qoftë ekonomike”, shpjegoi ai.

    Ngjashëm u shpreh edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Arian Zeka tha se, pavarësisht se një rritje prej 4 për qind do të duhej të ndikonte në mënyrë të lehtë edhe në ngritjen e standardit jetësor, problem mbetet niveli i inflacionit.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit më 2022 ishte 11.6 për qind. Ajo u ul në 4.9 më 2023, dhe ra edhe më shumë sivjet. Në gusht, inflacioni ishte në nivelin prej 1.4 për qind, nën mesataren e Bashkimit Evropian dhe të Eurozonës.

    Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha në fund të shtatorit se rritja ekonomike dhe rënia e inflacionit janë tregues se “bizneset dhe ekonomia e vendit po kthehen në trajektoren e rritjes më të shpejtë, aty ku edhe nisëm pas pandemisë”.

    Nevoja për rritje dyshifrore

    Mirëpo, rritja ekonomike, sipas Zekës dhe Ramosajt, është e bazuar kryesisht në konsum. Niveli i lartë i konsumit, vlerësojnë ekspertët, pashmangshëm lidhet me nivelin e lartë të remitencave.

    Ramosaj tha se paratë nga diaspora investohen kryesisht në patundshmëri, pra në blerjen e tokave dhe të banesave, dhe, sipas tij, këto investime nuk kapitalizohen në Kosovë.

    Kjo nënkupton se paratë e freskëta në Kosovë “nuk shkojnë në ata sektorë që mund të rrisin të ardhurat, si industria e përpunimit apo sektorë të tjerë të zhvillimit”.

    Ekspertët konsiderojnë se, në mënyrë që të përmirësohet mirëqenia e qytetarëve, rritja ekonomike në Kosovë duhet të jetë dyshifrore, që vendi të arrijë nivelin e shteteve të Bashkimit Evropian, ku dhe synon të anëtarësohet.

    “Edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare, për shembull të Korporatës Financiare Ndërkombëtare, thuhet që me normën aktuale të rritjes ekonomike që Kosova e ka viteve të fundit, do të thotë një 4 përqindësh apo edhe 5 përqindësh, Kosovës do t’i duhen diku edhe tri dekada që, në aspektin e kushteve jetësore ose standardit jetësor, të zërë hapin me shtetet me ekonominë më të dobët në BE”, tha Zeka.

    Ndryshimi i kahut të investimeve

    Si ndryshohet gjendja? Sipas Zekës, nevojitet promovim i ofertës së vendit për tërheqjen e investimeve para investitorëve të jashtëm, si dhe rritje e jashtëzakonshme e vëllimit të investimeve të huaja.

    “Sektorët aktualë që tërheqin investime të huaja direkte nuk ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, tha ai, duke përmendur patundshmëritë dhe ndërtimtarinë.

    Zeka sugjeroi që këto investime duhet të shkojnë në sektorë që krijojnë vende pune dhe krijojnë produkte me vlerë të shtuar, që do të kishin edhe ndikim në ndryshimin e deficitit tregtar përmes rritjes së eksporteve dhe zvogëlimit të importeve.

    Raportet tregojnë se investimet e huaja direkte në Kosovë më 2023 ishin në vlerë prej 816 milionë eurosh, apo 84 milionë më shumë sesa në vitin paraprak.

    Kosova, prej vitesh, përballet me nivel të lartë të importit, krahasuar me atë të eksportit.

    Ramosaj tha se bilanci tregtar në raport mes eksportit dhe importit duhet të ndryshohet, pasi pjesa e madhe e mjeteve të kosovarëve, respektivisht të Kosovës, dalin nga Kosova për shkak të importit të nivelit të lartë.

    Më 2023, vlera e mallrave të importuara arriti shifrën prej 5.9 miliardë eurosh, shifër shumë e lartë krahasuar me eksportin që arriti në vlerë prej 863 milionë eurosh.

    Nga Rubrika
    Lajme18 Korrik 2025
    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar publikisht duke denoncuar përhapjen e profileve dhe portaleve të rreme që, sipas tij,...
    Lajme18 Korrik 2025
    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), bashkë me Shoqatën e Invalidëve të Luftës dhe Shoqatën e Familjeve...
    Lajme18 Korrik 2025
    Një e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit ka ndarë sonte rrëfimin e saj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin....
    Të tjera
    Bota/Rajoni18 Korrik 2025
    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit, ku dy të mitur janë mbytur në lumin...
    Lajme18 Korrik 2025
    Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka reaguar me dhimbje pas lajmit për vdekjen aksidentale të Dursim Ademit. Në rrjetin e...
    Bota/Rajoni18 Korrik 2025
    Sllovenia miratoi të premten një ligj që lejon vdekjen me asistencë, duke u bashkuar me një numër gjithnjë e në rritje të...
    Lajme18 Korrik 2025
    Me nga 1 vit burg u dënuan 10 prej të akuzuarve në rastin ‘Veteranët’. Në mesin e të dënuarve edhe Agim Çeku,...
    Lajme18 Korrik 2025
    Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka, ka reaguar lidhur me komentet rreth çmimeve në hotelin ku po qëndron të Kryeministri Albin Kurti në...
    Bota/Rajoni18 Korrik 2025
    Zëvendësdrejtori i Burgjeve, Femi Sufaj, ka konfirmuar në një intervistë se i dënuari me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu, është takuar me...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.