Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ për tarifat e regjistrimit të të drejtave të pronës së paluajtshme
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, respektivisht Agjencia Kadastrale e Kosovës në kuadër të avancimit të kornizës ligjore dhe azhurnimit të akteve të saj nënligjore ka përmbyllur nënshkrimin e udhëzimeve të parapara administrative me nënshkrimin e Udhёzimit Administrativ për Tarifat e Shërbimeve për Regjistrimin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.
Ky nënshkrim u bë gjatë vizitës së ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, i shoqëruar dhe nga zv.ministrja Burbuqe Deva-Bakija në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ku janë pritur nga Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë, Avni Ahmeti.
Nënshkrimit të këtij Udhëzimi Administrativ i parapriu një takim mes ekipeve gjithëpërfshirëse të Ministrisë të Ekonomisë dhe Ambientit dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës, gjatë të cilit takim përmes diskutimeve interaktive u prezantuan si të arriturat poashtu edhe sfidat e kësaj agjencie.
Ky Udhëzim Administrativ do të mundësojë avancimin e ofrimit të shërbimeve, përfshi shërbimet e ofruara në rrjet (online) conform kërkesave dhe standardeve të shteteve të Bashkimit Evropian dhe shteteve tjera të avancuara në këtë fushë.
“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është duke i kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimeve në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, kjo për shkak të peshës që kjo Agjenci ka në fushën e adminstrimit të tokës dhe regjistrimit të pronës. Prandaj, me kapacitete të plota kemi përkrahur reformat e tyre ligjore që po imponohen si rezultat i ndryshimeve dinamike në fushat që janë nën mandatin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Ky udhëzim administrative përcakton nivelin e tarifave për shërbimet e ofruara për regjistrimin e të drejtave të pronës së paluajtshme, ndërsa dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ janë të detyrueshme për Agjencinë Kadastrale të Kosovës, zyrat kadastrale komunale dhe parashtruesit e kërkesave për shërbime dhe produkte”, deklaroi ministri Kuçi.
Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Ahmeti potencoi se Agjencia po e përmbyll këtë vit ashtu si ka qenë e paraparë, dhe pavarësisht situatës me pandeminë e njëjta nuk ka ndaluar ofrimin e shërbimeve si për institucione po ashtu edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sa i përket Udhëzimit Administrativ, kryeshefi Ahmeti tha se i njëjti pos nivelizimit të çmimeve për produkte, përfshin edhe tarifat për shërbime të reja që kanë ardhur si rezultat i avancimeve teknologjike në AKK, përfshi tarifat për krijimin e qasjes për shërbime online, për mirëmbajtje vjetore për shërbimet e ofruara online, tarifat për verifikimin e informacioneve, e ngjashëm. Gjatë vizitës në AKK, ministrit Kuçi iu demonstrua në kohë reale edhe kryerja e punëve të përditshme nga personeli i Agjencisë Kadastrale të Kosovës