Sot është nënshkruar marrëveshja e zbatimit ndërmjet Ministrisë së Financave, GIZ dhe Asociacionit PIT për zhvillimin e mëtejshëm të Parku i Inovacionit dhe Trajnimit (PIT) në Prizren nga partnerët në prani të ministres së Financave Hykmete Bajrami dhe ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.
Ministrja Bajrami mirëpriti mbështetjen gjermane për projektin e PIT, i cili po krijon një qendër rritjeje dhe të diturisë në Kosovë, dhe gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e Qeverisë drejt një zbatimi në kohën e duhur të projektit përmes marrëveshjes së bashkëfinancimit që do të nënshkruhet këtë vit.
Nga ana e tij, ambasadori Rohde theksoi mbështetjen gjermane për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës, përfshirë edhe forcimin e tregut të punës.
Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren është një projekt i përbashkët kosovaro-gjerman që synon krijimin e një ambienti tërheqës biznesi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
Rëndësia e projektit theksohet më tej në vazhdën e efekteve të COVID-19 për faktin se përfaqëson një mundësi për krijimin e vendeve të punës pasi u siguron sipërmarrësve dhe ndërmarrjeve të reja një vend për zbatimin e ideve të tyre inovative, bashkëpunimin dhe përshpejtimin e aftësive.
Gjermania dhe Kosova kanë siguruar 12.5 milionë euro, një investim i shpërndarë gjatë tri vjetëve për të trajtuar nevojat infrastrukturore dhe të tjera të projektit të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit.
Zhvillimi i Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren implementohet nga GIZ Kosova në emër të Asociacionit PIT, përmes bashkëpunimit të ngushtë me projektet të tjera të GIZ, të cilat janë aktive në fushën e promovimit të eksportit, arsimit dhe aftësimit profesional.