Qyteti i Gjilanit së shpejti do ta ketë Stacionin e Autobusëve modern, pasi tashmë është nënshkruar edhe kontrata për ndërtimin e tij.
Kështu bëjnë të ditur nga Komuna e Gjilanit, duke theksuar se qytetarët dhe kompanitë transportuese të udhëtarëve vendëse dhe ndërkombëtare të cilët frekuentojnë Stacionin e Autobusëve në Gjilan, do të kenë kushte edhe shërbime më të mira.
“Ky stacion është njëri ndër më të mëdhenjtë në vend pas atij të kryeqytetit, ku vlerësohet se gjatë ditës e frekuentojnë qindra mijëra udhëtarë, të cilët vijnë nga fshatra, qytete e shtete të ndryshime e kthehen anasjelltas”, thuhet në kumtesën për media nga kjo komunë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, deklaroi se po e përmbyllin vitin me një tjetër projekt madhor.
“Nënshkrova kontratën për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve. Një epokë e re për transportin. Stacion modern, investim prej rreth 1 milion euro”, tha Hyseni.