Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku janë gjetur të vdekur në rrethana misterioze një nënë 38-vjeçare dhe vajza e saj 4-vjeçare në shtëpinë e tyre. Ndërkohë, kreu i familjes dhe djali janë në gjendje të rëndë në Spitalin e Tetovës.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Tetovës, prej ku thonë se denoncimi është pranuar rreth orës 14:00.
“Menjëherë pas raportimit është vepruar dhe është siguruar vendi ku ekipi nga SPB Tetovë në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer inspektimin dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion, ndërsa bashkëshorti i saj R.Sh. (50) së bashku me djalin e tij të mitur, do të transferohen për ndihmë mjekësore në Spitalin klinik të Tetovës, e më pas personi R.Sh. do të ndalohet në Komisariat për veprime të mëtejshme”, njoftojnë nga Policia e Tetovës.
Në vendngjarje ka dalë policia dhe prokurori publik./Telegrafi/