Dy zyrtarët komunalë të Drenasit, Xhafer Ramaj dhe Shefqet Morina, të cilët akuzohen për korrupsion, në seancën e të mërkurës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore që të mbrohen në heshtje.
Në këtë rast, Shefqet Morina (shef i sektorit të Kadastrit në Komunën e Drenasit), dhe Xhafer Ramaj (ish-shef i sektorit të Gjeodezisë) – tash pensionist, akuzoheshin se gjatë një periudhe tetëvjeçare, nuk kishin respektuar procedurat ligjore me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore në toka ndërtimore në Drenas, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dy të akuzuarit gjithashtu deklaruan se mbetën pranë deklarimeve të dhëna në seancat paraprake.
Fillimisht, në seancën e sotme janë administruar provat e propozuara nga mbrojtësi i të akuzuarit Ramaj, avokati Ramë Dreshaj, të njëjtat u konsideruan si të lexuara.
Po ashtu, në këtë seancë ishte e paraparë që të jepet edhe fjala përfundimtare, por me që prokurori Kujtim Munishi nuk ishte përgatitur për ta dhënë fjalën përfundimtare, kërkojë që të njëjtën ta jap në seancën e radhës.
Kërkesa e prokurorit Munishi u mbështet nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ramë Dreshaj dhe Hadije Ademi, dhe u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Sulltane Hoti.
Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë dhe do të vazhdojë në një datë tjetër.
Ndryshe, më 9 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Ramaj dhe Morina.
Por, Gjykata e Apelit më 21 shkurt 2024 aprovoi si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe anuloi aktgjykimin e shkallës së parë duke kthyer çështjen në rigjykim dhe vendosje.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të gjeodezisë dhe i pandehuri Shefqet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore.
Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.
Sipas Prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231 mijë e 689 euro.