Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë duke u kryer të gjitha operacionet elektive, por kjo nuk po ndodh edhe në njërin prej spitaleve rajonale.
Ndonëse në një përgjigje të QKUK-së thuhet se programi elektiv është normalizuar edhe në spitalet e përgjithshme, kjo nuk po ndodh në Spitalin e Gjilanit,
“Ju informojmë se shërbimet shëndetësore në klinikat e QKUK-së, por edhe në spitalet e përgjithshme janë normalizuar. Poashtu, është duke u zhvilluar puna në ambulancat specialistike, po kryhen operacionet elektive dhe shërbimet diagnostike, përfshirë ato radiologjike dhe biokimike”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Por Gazeta ka pranuar një ankesë të një pacienti i cili nuk ka dashur të ekspozohet me emër, se është duke pritur për një operacion në repartin e ORL-së në Gjilan që nga fillimi i këtij viti.
Drejtori i Spitalit të Gjilanit Nysret Hajrullahu, ka thënë se po kryhen vetëm nga 2 operacione për secilin repart brenda ditës. “Për shkak të gjendjes me pandeminë nuk po kemi mundësi me kry më shumë se dy operacione për secilin repart brenda një dite”, ka thënë ai.
Ndërkaq në Spitalin e Ferizajt drejtori Jeton Zeqiri ka thënë se programi elektiv është duke u punuar në tërësi. “Programi elektiv është normalizuar dhe po kryhen të gjitha operacionet”, ka thënë ai.
Kujtojmë se në shtator ishte anuluar pezullimi i programit elektiv, me ç’rast kishte filluar puna në sallat operative dhe ambulancat specialistike.