-->
×
  • Lajme
  • Lajme

    Në QKUK bëhen gati për ekzaminime të reja të foshnjave

    FrontOnline
    08 Shtator 2024

    Brenda pak muajsh, Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të nisë ekzaminime të reja për të sapolindurit, të cilat do të ndihmojnë në diagnostikimin e së paku katër çrregullimeve metabolike.

    Ato përfshijnë sëmundje si hipotiroidizmi kongjenital dhe fenilketonuria, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme mentale dhe neurologjike, nëse nuk trajtohen në kohë.

    Ekzaminimet e reja do të mund të diagnostikojnë edhe fibrozën cistike, e cila e bën të vështirë për fëmijët e prekur të marrin frymë ose ta tresin ushqimin, si dhe galaktozeminë, e cila nuk e lejon trupin ta përpunojë sheqerin që gjendet në produktet e qumështit.

    Zbulimi i hershëm i këtyre sëmundjeve, sipas profesionistëve shëndetësorë, është vendimtar, pasi ndërhyrja në kohë mund t’i parandalojë pasojat apo vonesat e mëdha në zhvillim.

    Pajisjet për këto ekzaminime – në vlerë prej më shumë se 109 mijë eurosh – i ka blerë Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, i cili ka nën mbikëqyrje QKUK-në dhe spitalet rajonale.

    Tash për tash, ekzaminimet e tilla kryhen vetëm jashtë Kosovës.

    “Jetike për kujdesin shëndetësor”

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Neonatologjisë, Luan Morina, thotë se bazuar në numrin e përgjithshëm të lindjeve, brenda vitit në Kosovë mund të ketë pesë deri në gjashtë raste me sëmundjet e lartpërmendura.

    Sipas tij, ekzaminimet për to do t’i bëhen secilës foshnje në QKUK, brenda pesë ditësh nga lindja.

    “Skriningu [ekzaminimi] neonatal është pjesë jetike e kujdesit shëndetësor dhe qëllimi i tij është zbulimi i hershëm i sëmundjeve kongjenitale. Nëse detektohet herët se fëmija ka sëmundje të tilla, masat e trajtimit dhe mjekimet janë më të lehta”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.

    “Deri më tash, te rastet që kemi dyshuar, ne i kemi kërkuar ekzaminimet e tilla, por ato janë bërë jashtë vendit”, shton ai.

    Morina nuk jep ndonjë afat specifik se kur do të nisin ekzaminimet në fjalë në QKUK, por thotë se brenda pak muajsh – derisa të montohen pajisjet dhe derisa stafi të trajnohet në mënyrë adekuate.

    Mynevere Latifi-Hoxha, pediatre në pension, thotë se shumë sëmundje të padukshme në fillim, mund të zbulohen me ekzaminime adekuate dhe të trajtohen me sukses.

    Latifi-Hoxha, e cila për disa vite ka udhëhequr Klinikën e Neonatologjisë, thotë se edhe në kohën kur ajo ka punuar aty, ka pasur kërkesa për blerjen e aparaturave, por se, veç premtimeve, nuk është realizuar asgjë.

    “Është shumë e rëndësishme që shteti të ofrojë mundësi për bërjen e këtyre analizave, sepse janë disa sëmundje që mund të zbulohen herët, me një pikë gjaku. Dhe, nëse bëhet një laborator i mirë, mund të zbulohen edhe sëmundje të tjera”, thotë Latifi-Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

    Në QKUK, brenda 24 orësh, lindin rreth 30 foshnja.

    Vitin e kaluar, në Raportin e Progresit të përpiluar nga Komisioni Evropian, është thënë se vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë mbetet problem serioz, pasi 16 në 1.000 prej tyre vdesin përpara se t’i mbushin 5 vjet.

    Kjo shifër, sipas atij raporti, është tri herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

    Si shkaktare të vdekjeve janë përmendur sëmundjet jongjitëse.

    Po sipas atij raporti, cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë, përgjithësisht, është shqetësuese, ndërsa përgjegjshmëria institucionale e ofruesve të shëndetit publik, është e ulët.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për sfidat që hasen në klinika të ndryshme të QKUK-së, nisur nga mungesa e çarçafëve deri te keqadministrimi i barnave.

    Por, në fillim të kësaj vere ka pasur edhe disa renovime të konsiderueshme në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, të cilat i kanë përmirësuar kushtet si për pacientet, ashtu edhe për të porsalindurit. /REL/

    Nga Rubrika
    Lajme09 Janar 2025
    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar vendimin e VV-së për t’i bojkotuar debatet zgjedhore në T7, Klan Kosova e RTV Dukagjini....
    Lajme09 Janar 2025
    Në lidhje me këtë virus, Sali Ahmeti, infektolog, ka shpjeguar se HMPV është një virus i ri që manifeston infeksione të rrugëve...
    Lajme09 Janar 2025
    Arben Gashi i LDK’së ka thënë se ekipit garues të VV’së në zgjedhje u janë ndalë të gjitha paraqitjet televizibve. Kandidati për...
    Të tjera
    Sport09 Janar 2025
    Merr një kthesë të papritur historia e boksierit të njohur shqiptarë Florian Marku. Ai është arrestuar sërish në Londër pasi arriti të...
    Lajme09 Janar 2025
    Rritja e rasteve me Metapneumovirus (HMPV) në Kinë ka ngjallur shqetësime për mundësinë e përhapjes së këtij virusi në vende të tjera....
    Zgjedhjet 202509 Janar 2025
    Idriz Vehapi, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), ka njoftuar se sonte ka takuar anëtarët e nëndegës së PDK-së në...
    Lajme09 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa ka bërë të ditur se sot PDK dega në Gjakovë është vizituar nga...
    Lajme09 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga PDK, Enver Hoxhaj, ka takuar strukturat udhëheqëse të kësaj partie në Suharekë dhe Budakovë. Hoxhaj, ka shkruar se...
    Lajme09 Janar 2025
    Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, që kishte punuar në Shtëpinë e Bardhë krah presidentit të atëhershëm Donald J. Trump, ka thënë...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.