Sipas të dhënave të agjencisë Reuters, Shtetet e Bashkuara të premten i kanë regjistruar 83.948 raste të reja të koronavirusit, që është shifër rekorde që nga fillimi i pandemisë.
Rritja e numrit ditor të rasteve vjen në kohën kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në ditën e zgjedhjeve presidenciale dhe pandemia po i godet shtetet ku gara pritet të jetë më e ngushtë si Ohio, Michigan, Karolinë Veriore, Pensilvani dhe Wisconsin.
Rekordi i mëparshëm i rasteve ditore ishte regjistruar më 16 korrik, kur ishin shënuar 77.299 të infektuar të rinj për 24 orë. Dy javë më pas, shifra mesatare ditore e viktimave të sëmundjes Covid-19 kishte shkuar në 1.200, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar më parë se temperaturat më të ulëta, që i nxisin njerëzit të qëndrojnë në hapësira të mbyllura, mosrespektimi i masave dhe kthimi i nxënësve e studentëve në shkolla e universitete mund të ndikojnë në përhapjen më të madhe të virusit.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë për numrin e infektimeve si dhe për më së shumti viktima të pandemisë. Deri më tani, në këtë vend janë regjistruar rreth 8.5 milionë persona të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe afro 224.000 të vdekur nga sëmundja Covid-19, e cila shkaktohet nga ky virus.