Nga 559,936 shtëpi/ banesa sa janë gjithsej në Kosovë, 185,953 (33.2% e tyre ) janë të pabanueshme. Këto shifra janë bërë të ditura të enjten nga Agjencia e Statistikave në Kosovë (ASK), përderisa nga viti 2011, kur është bërë regjistrimi i fundit i popullsisë, numri i shtëpive/banesave të pabanuara është dyfishuar, raporton portali FrontOnline.
Ekonomistët alarmojnë se numri kaq i madh i shtëpive të pabanuara është rezultat i migrimit masiv që po ndodhë në vend dhe njëkohësisht investimeve të mëdha në patundshmëri që po ndodhin nga diaspora kosovare.
Këto janë Komunat me më së shumti shtëpi/banesa të pa banuara
Nga të gjitha Komunat e Kosovës më së shumti shtëpi/banesa të pabanuara ka në:
-Prishtinë 21.794 shtëpi/banesa të pabanuara
-Prizren 17.057 shtëpi/ banesa të pabanuara
-Ferizaj 15469 shtëpi/ banesa të pabanuara
-Gjilan 12.752 shtëpi/ banesa të pabanuara
– Fushë-Kosovë 10.675 shtëpi/ banesa të pabanuara
-Gjakovë 8421 shtëpi/ banesa të pabanuara
– Pejë 8110 shtëpi/ banesa të pabanuara
Shala: Ka ikje masive nga Kosova në 4-5 vitet e fundit
Kryetari i komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka thënë se ka një numër të madh shtëpish të pabanuara, shumica e të cilave, sipas tij, janë prona të atyre që kanë braktisur Kosovën, veçanërisht në 4-5 vitet e fundit, në mandatin e kësaj Qeverie.
Shala thekson se gjatë kësaj periudhe ka pasur një ikje masive të kategorive të ndryshme të qytetarëve, dhe sot shkalla e largimeve nga Kosova është më e lartë se kurrë më parë.
Ai kritikon Qeverinë, duke theksuar se nuk ka krijuar kushte për të ndalur këtë largim masiv dhe se mungesa e investimeve, arsimit të mirëfilltë dhe mundësive për punë ka bërë që qytetarët të kërkojnë zgjidhje tjetër, sidomos në Evropë.
‘’Në këtë relacion Qeveria nuk ka krijuar asnjë lloj më të vogël të kushteve për t’i ndalur ikjet. Fatkeqësisht mungesa e investimeve, arsimit të mirëfilltë e mundësive për punë ka bërë që qytetarët të kërkojnë zgjidhje të tjera e sidomos në Evropë’’, përfundoi Shala.
Dreshaj: Migrimi po ndodhë për shkak të varfërisë, prandaj ka shumë shtëpi të boshatisura
Ndërkaq, Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e lidh migrimin dhe varfërinë ekonomike me rritjen e numrit të shtëpive të pabanuara. Ai thekson se këto dy faktorë janë shkaktarët kryesorë që kanë çuar në boshatisjen e shumë fshatrave dhe qyteteve.
‘’ Mendoj që migrimi i popullatës dhe varfëria ekonomike kanë çuar deri te ky numër i shtëpive të pa banuara’’, tha Dreshaj për FrontOnline.
Dreshaj beson se situata mund të përmirësohet nëse siguria në vend rritet dhe nëse bëhen investime të qëndrueshme në sektorin e prodhimit vendor. Ai thekson se, gjithashtu, është e nevojshme të krijohen kushte që rinia të gjejë shpresë për të rinjtë në vend.
‘’Kjo mund të rregullohet nëse kthehet siguria në vend, duke u bërë investime të mirëfillta në segmentin e prodhimit vendor dhe duke u rikthyer shpresa për rini në Kosovë’’, përfundoi Dreshaj.
Ish -Ministri i Tregtisë: Shumë shtëpi të pabanuara, shumë “kapital i vdekur”
Ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, theksuar se migrimi përbrenda Kosovës dhe jashtë vendit ndikon në rritjen e numrit të shtëpive të pabanuara.
‘’Natyrisht edhe migrimi përbrenda Kosovës, por edhe ai jashtë shtetit të Kosovës ndikon që një pjesë e shtëpive të Kosovës të mbeten të pa banuara’’, tha Mulaj për FrontOnline.
Sipas tij, shumë qytetarë kanë ndërtuar shtëpi dhe më pas janë larguar, disa duke emigruar jashtë shtetit. Mulaj gjithashtu thekson një fenomen tjetër, atë të ndërtimit të shtëpive të reja për diasporën, të cilat shpesh mbeten të pabanuara pas ndërtimit. Ai e përshkruan këtë si një “kapital të vdekur”, një humbje të madhe për Kosovën
‘’Ndodhë edhe për shkak se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë ndërtuar shtëpi pastaj kanë dalë në qytete dhe e dimë se edhe një pjesë e madhe kanë dalë jashtë. Është edhe një tendencë në Kosovë që të ndërtohen shtëpi të reja e banesave këto ndërtohen kryesisht për diasporën por që janë të boshatisura. Ne një mënyre këto janë një kapital i vdekur e një humbje e madhe për Kosovën’’, përfundoi Mulaj.
Sociologia Ademi: Qytetet po mbingarkohen, fshatrat po zbrazen, këto janë arsyet
Sociologia Makfire Ademi ka komentuar statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ku thuhet se 33.2% e shtëpive janë të pabanuara. Ajo ka theksuar se dy faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë fenomen janë ai demografik dhe ekonomik.
‘’Statistikat e publikuara sot nga ASK- ja për shtëpitë e pabanuara na tregojnë faktin se nder shkaqet kryesore mbetet faktori demografik dhe ai ekonomik’’, tha Ademi për FrontOnline.
Në aspektin demografik, Ademi ka përmendur migrimin, veçanërisht pas liberalizimit të vizave, që ka çuar shumë qytetarë të Kosovës të emigrojnë jashtë vendit. Po ashtu, ka ndodhur edhe një lëvizje e popullsisë nga zonat rurale në ato urbane, çka ka shkaktuar mbipopullim në qytetet e mëdha si ndërsa fshatrat po boshatisen.
‘’Faktori demografik, si migrimi sidomos pas liberalizimit te vizave, ku shume qytetar kane migruar jashtë vendit. Por, gjithashtu ka ndodhur edhe lëvizja nga vendet rurale ne ato urbane duke u mbipopulluar kryeqyteti apo qytetet e mëdha dhe duke u zvogluar fshatrat’’, tha sociologia Ademi.
Ademi ka shpjeguar se shumica e emigrantëve kanë investuar në pasuri të patundshme, duke blerë shtëpi që shpesh nuk shfrytëzohen ose përdoren shumë pak, kryesisht gjatë periudhave të pushimeve. Ajo e ka quajtur këtë fenomen “kapital të vdekur”, pasi këto prona nuk kontribuojnë në zhvillimin ekonomik aktiv.
‘’Kjo përqindje na vë në pah edhe faktorin ekonomik, ku shumica e mërgimtareve kane blere banesa apo shtëpi te cilat nuk i shfrytëzojnë apo shfrytëzohen fare pak. Këto banesa apo shtëpi te cilat janë ne posedim te mërgimtareve shfrytëzohen vetëm ne periudhën e pushimeve. Kjo dukuri për ekonominë është një kapital i vdekur’’, tha Ademi.
Për më tepër, sociologia ka theksuar se mos planifikimi i duhur urban dhe rural është një problem i madh. Qytetet po përballen me mbingarkesë, ndërsa fshatrat janë duke u zbrazur, duke krijuar një pasiguri në zhvillimin e balancuar të territorit.
‘’Gjithashtu, mos planifikimi i mirëfillte urban dhe ai rural mbetet fakt shqetësues ku qytetet po mbi ngarkohen dhe fshatrat po mbesin te zbrazura’’, përfundoi Ademi.