Si në mbarë botën, edhe në Kosovë një numër i fëmijëve u prek nga virusi korona.
Kjo bëri që Klinika e Pediatrisë të siguronte repartin për trajtimin e pacientëve me covid 19.
Deri në mesin e dhjetorit, aty u trajtuan 71 fëmijë me virusin korona, të cilët kryesisht e kaluan me simptoma më të lehta.
E luftën me koronavirus e humbi vetëm një fëmijë i cili kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Deri në mesin e dhjetorit në Klinikën tonë kanë qenë 71 pacientë të prekur me COVID që kanë kërkuar hospitalizim. Fatmirësisht shumica e tyre kanë një ecuri të mirë, mirëpo kanë pasur nevojë për mjekim spitalor. Prej të gjithë fëmijëve (të infektuar) që i kemi pasur një fëmijë ka përfunduar me fatalitet, ka qenë një fëmijë i cili ka qenë me një sëmundje të rëndë kronike dhe ai fëmijë ka përfunduar me fatalitet”.
Sfidë kryesore Telaku e konsideron diferencimin e fëmijëve me COVID, karshi atyre me virus sezonal, për shkak të ngjashmërisë së madhe të pasqyrës klinike.
Fëmijët që u infektuan me koronavirus ishin të moshave të ndryshme.
Madje trajtim spitalor pasi ishte prekur me COVID kishte kërkuar edhe një bebe dymuajshe.
“Moshat janë të ndryshme të fëmijëve që kanë ardhur edhe që kanë pasur nevojë për hospitalizim. Fëmija më i ri që e kemi pasur të hospitalizuar që ka qenë COVID pozitiv ka qenë 2 muajsh, kurse fëmija me moshën më të shtyrë ka qenë 15-16 vjeçare. Moshat kanë qenë të ndryshme, kanë dominuar moshat nga 5, 10 deri në 12-13 vjeç sesa moshat më të reja. Simptomatologjia është mjaftë e lehtë, fatmirësisht manifestohet në formë të një infeksioni viral, ndonjëherë është përcjellë me vjellje e diarre që ka qenë shumë e shpeshtë”
Telaku thotë se në krahasim me 9-mujorin e parë të vitit 2019, në vitin pasues 2020 në Klinikën e Pediatrisë ndihmë mjekësore kanë kërkuar më pak fëmijë.
Në gjithë këtë beson se ka ndikuar izolimi.
Virusi nuk kurseu as stafin mjekësor të kësaj klinike.Vetëm në muajin dhjetor, janë të infektuar gjashtë mjekë dhe shtatë infermierë.