Instituti i Gjermanisë për sëmundje infektive “Robert Koch”, i ka vlerësuar inkurajuese rezultatet fillestare të fazës së tretë të vaksinës potenciale për COVID-19 të kompanive “Pfizer/BioNtech”.
Nga këto kompani ishte thënë se në rezultatet fillestare vaksina po jep 90 për qind efikasitet në mbrojtje nga infektimi.
“Të dhënat preeliminatore nga Pfizer dhe partneri gjerman BioNtech për vaksinën eksperimentale COVID-19 janë inkurajuese”, ka thënë kryetari i RKI-së, Lothar Wieler, raporton agjencia Reuters.
Wieler ka shtuar se do të jetë sfiduese për të përcaktuar se kush do të marrë i pari vaksinën për COVID-19.
Ai po ashtu ka shtuar se masat antiCOVID do të qëndrojnë për një kohë të gjatë, pasi që duhet kohë për realizimin e vaksinimit të masës.
Në Gjermani sot janë regjistruar 21.866 raste të reja me koronavirus dhe 215 të vdekur në 24 orët e fundit.
Wieler thotë se numri i të infektuarve po rritet në gjithë Gjermaninë, por se është inkurajuese që rritja po shkon me ritëm më të ngadalësuar, që lë të kuptohet se masat po funksionojnë. Ai ka thënë se ka mundur të ishte shumë më keq.