Polica në Gjakovë, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative dhe realizimit të objektivave policore për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, në dy raste të ndara ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar dy armë.
Sipas njoftimit të policisë, pasi ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në rrugën “Ardhmëria” fshati Madanaj-Gjakovë, polivia ka arritur të identifikoj dhe arrestoj një të dyshuar mbi dyshimin se i njëjti kishte shtënë me armë zjarri.
“Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një pistoletë dhe katër gëzhoja”, njofton policia.
Në rastin e dytë në fshatin Skivjan në Gjakovë është arrestuar i dyshuari K.B., pasi që në një aheng tjetër familjar kishte shtënë me armë zjarri.
“Në posedim të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë (e cilat dyshohet të jetë përdorur në rast) si dhe janë gjetur gjashtë gëzhoja”, thekson policia.
Sipas njoftimit, lidhur me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori kompetent, me vendimin e të së cilit janë iniciuar dy raste “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa paautorizuar të armëve dhe përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm” të cilat do të trajtohen në procedurë të rregullt.
“Posedimi dhe përdorimi i armëve në përgjithësi e në veçanti në festa dhe ahengje, është i ndaluar dhe sanksionohet me ligj, andaj festoni me zemër e jo me armë, mos e shndërroni gëzimin në hidhërim dhe tragjedi”, thekson policia.