Në Dibër janë harxhuar 150 vaksinat e para kundër gripit sezonal, të cilat një kategori e caktuar e qytetarëve i ka marrë falas me caktimin përmes “termini im”.
“Me vaksinimin kundër gripit sezonal, filluam para dy ditëve dhe tanimë i kemi harxhuar 150 vaksinat e para falas. Me respektimin e të gjitha protokolleve për mbrojtje nga Kovid-19, procesi zhvillohej pa probleme nga ora 8:00 deri ora 15:00, në ambient të posaçëm në shërbimin për vaksinim pranë Spitalti të përgjithshëm me kompetenca të zgjeruara”, deklaroi për AIM Mentor Mela, udhëheqës i Njësisë punuese në Qendrën për Shëndet Publik.
Kryesisht me imunizim janë përfshirë personat e sëmurë kronikë dhe mbi moshën 65-vjeçare.
“Presim të arrijnë edhe 450 vaksina falas shtesë, të cilat, si edhe të parat, do të dedikohen për të sëmurë kronikë, persona mbi moshën 65-vjeçare, gra shtatzëna, fëmijë të moshës prej gjashtë muajsh deri pesë vjeç. Gjithsesi, presim edhe vaksina komerciale, të cilat do të kushtojnë nga 800 denarë, por ende nuk e dimë numrin e tyre”, tha Mela
Lidhur me gjendjen epidemiologjike me coronavirusin, Mela atë e vlerëson si shumë serioze. Vetëm këtë muaj ka më shumë se 40 të sapoinfektuar ose gjithsej deri tani 402, prej tyre betejën me virusin e rrezikshëm e kanë humbur 18, ndërsa raste aktive janë 91, prej të cilëve gjashtë janë hospitalizuar në institucionet shëndetësore në Shkup.
Shkaku kryesor për numrin e rritur të të sapoinfektuarve, sipas tij, është mosrespektimi i masave për mbrojtje, para së gjithash grupimi në kafene dhe nëpër shtëpi për raste të ndryshme.