×
  • Opinione
  • Opinione

    Ndikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 në konstituimin e kuvendit të Kosovës dhe në zgjedhjen e qeverisë së re

    FrontOnline
    23 Mars 2025

    Demokratizimi i një shoqërie vlerësohet, përveç tjerash, me organizimin, mbajtjen dhe pranimin e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike. Rezultati i zgjedhjeve është një “fidanishte”, nga e cila formohen dhe funksionojnë institucionet e tjera shtetërore të një shoqërie.

    Në Kosovë, prej vitit 2001 e deri më tani janë mbajtur 9 palë zgjedhje. Organizimin dhe mbajtjen e të gjitha këtyre zgjedhjeve (dy palë zgjedhjet e para i ka organizuar OSCE-ja në Kosovë) i ka karakterizuar një frymë demokratike, kanë qenë të lira (me përjashtime të ekseseve të vogla) dhe janë pranuar nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse, si dhe nga vëzhguesit e jashtëm.
    Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, nga Legjislatura e parë deri te ajo e shtata, zgjedhja e Qeverisë së Kosovës është bërë mbi bazën e koalicioneve të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
    Përjashtim nga kjo bëjnë zgjedhjet për Legjislaturën e tetë (8), kur një subjekt politik i vetëm LVV (me dy subjekte të vogla brenda saj, me Listën Guxo dhe me Alternativën) arriti të ketë mbi 50% të votave të pjesëmarrësve në votim dhe e formoi Qeverinë e Kosovës pa pasur nevojë për krijimin e koalicionit me partitë e tjera parlamentare.
    Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 e kanë prodhuar një rezultat të tillë, kur asnjë subjekt politik nuk ka arritur t’i fitojë votat e mjaftueshme për ta formuar Ekzekutivin e vendit i vetëm. Secili subjekt politik dhe secili vëzhgues politik i lexon dhe i shpjegon këto rezultate në mënyrën e vet. Por, elektorati i Kosovës, me nivelin e emancipimit politik, e ka dërguar një mesazh të qartë për të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, se për zgjidhjen e problemeve të mëdha, me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare (zhvillimi i ngadalshëm ekonomik, papunësia, varfëria, raportet me shtetin fqinj – Serbinë, çështja e arsimit, e shëndetësisë etj.) nuk mund t’i adresojë e as t’i zgjidhë një subjekt i vetëm politik, ngase është në barrë e rëndë për një subjekt të vetëm. Andaj, rezultati i këtyre zgjedhjeve e ka edhe efektin emancipues të aktorëve politikë, me çka i detyron të bëjnë koalicione dhe të krijojnë një KONCENSUS koheziv, që i përballon, i adreson dhe i zgjidh problemet me të cilat përballet shoqëria kosovare.
    Rezultatet përfundimtare që i ka shpallur KQZ-ja për subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje janë këto: LVV-ja i ka fituar 42,30% të votave = 48 deputetë në Kuvend; PDK-ja i ka fituar 20.05% të votave = 24 deputetë; LDK-ja i ka fituar 28,27% = 20 deputetë; AAK-Nisma Socialdemokrate i ka fituar 7,06% = 8 deputetë; Lista serbe i ka fituar 4,26% = 9 deputetë (sipas formulës për vendet e garantuara); Partia SPO e ka 1 deputet; dhe subjektet e tjera të komuniteteve joshumicë: turq, romë, ashkali, egjiptianë, boshnjakë, goranë, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve (sipas formulës për vendet e garantuara) i kanë 10 deputetë në Legjislaturën e 9-të.

    Procedurat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Seancën e parë për konstituimin e Kuvendit, mbështetur në nenin 66.3 të Kushtetutës së Kosovës, e thërret Presidenti/ja e Republikës së Kosovës, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve.
    Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar, në këtë rast nga GP i LVV, dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (neni 67.2 i Kushtetutës).
    Nga pesë (5) nënkryetarë të tjerë, tre (3) zgjidhen nga tri grupet më të mëdha parlamentare dhe dy (2) nënkryetarë që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë, njëra nga komuniteti serb dhe tjetri nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë, që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit (neni 67.3 dhe 4 i Kushtetutës).
    Me zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit, Kuvendit konsiderohet i konstituuar.

    Procedurat për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës

    Pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti/tja, mbështetur në 95 të Kushtetutës së Kosovës, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që e ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë, ia propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër.
    Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, e paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga Kuvendi. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse e merr shumicën e votave të nevojshme të të gjithë deputetëve të Kuvendit (61 vota).
    Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti/tja brenda 10 ditësh e emëron kandidatin tjetër, sipas të njëjtës procedurë.
    Në këtë rast, ka vakum juridik, Kushtetuta nuk parasheh veprimet tjera të Presidentit/tes se nga cili subjekt politik e kërkon mandatarin për Kryeministër. Këtë rast e ka zgjidhur Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin në Rastin nr. 103/14, që ia njeh kompetencën e diskrecionit Presidentit/tes se kandidatin e dytë për formimin e Qeverisë mund ta propozojë nga i njëjti subjekt politik, ose nga cilado parti ose koalicion për të cilën vlerëson se e ka shumicën parlamentare për ta formuar Qeverinë e Kosovës dhe ia propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër. Pra, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për propozimin e kandidatin për Kryeministër herën e parë, Presidenti/tja nuk e ka kompetencën e diskrecionit, por ia propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër nga partia ose koalicioni që ka numrin e nevojshëm të votave në Kuvend për ta formuar Qeverinë. Ndërsa, nëse herën e parë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë Qeverinë, në rastin dytë Presidenti/tja ka kompetencën e diskrecionit për t’ia propozuar Kuvendit kandidatin për Kryeministër edhe nga ndonjë parti ose koalicion tjetër për të cilin ai/ajo konsideron se e ka numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për ta formuar Qeverinë.

    Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, që i ka shpallur KQZ-ja, asnjë subjekt politik i vetëm nuk i ka votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e ardhshme. LVV-ja i ka fituar 48 deputetë; PDK-ja i ka fituar 24 deputetë; LDK-ja i ka fituar 20 deputetë; AAK-Nisma i ka fituar 8 deputetë; LS-ja i ka fituar 9 deputetë; partitë e tjera nga komunitetet joshumicë i kanë 10 deputetë dhe SPO-ja e ka 1 deputet.

    Cilat mund të jenë variantet e mundshme për formimin e Qeverisë së re?

    1. Varianti i parë, subjekti politik LVV që e ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend 48, është e mundur që me deputetët e komuniteteve joshumicë, gjithsej 11 deputetë, pa LS, dhe me ndonjë deputet nga partitë tjera parlamentare, sipas përvojave të mëparshme, ta formojë Qeverinë, por kjo Qeveri me këtë mbështetje parlamentare vështirë e ka ta zbatojë agjendën e saj legjislative, sidomos në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, meqë kërkohen 2/3 e votave të deputetëve, apo të legjislacionit me interes vital.
    2. Varianti i dytë, koalicioni i mundshëm i LVV-së me PDK-në, që mund t’i ketë 72 deputetë + 11 deputetë nga subjektet politike të komuniteteve joshumicë, përveç dallimeve në të kaluarën, mund ta formojnë Qeverinë, e cila do të kishte kapacitet për realizimin e agjendës legjislative dhe të politikave qeveritare, si dhe për zgjedhjen e Presidentit pas një viti.
    3. Varianti i tretë, koalicion i mundshëm i LVV- vë me LDK-në, që mund t’i ketë 68 deputetë + 11 deputetë nga subjektet politike të komuniteteve joshumicë. Ky koalicion, me harmonizimin e Programit qeveritar ndërmjet dy partive politike, do të mund t’i përballonte sfidat me të cilat përballet vendi.
    4. Varianti i katërt, koalicioni i mundshëm i PDK-së, LDK-së, AAK-së-Nisma dhe të komuniteteve joshumicë.
    5. Varianti i pestë, pamundësia për zgjedhjen e Qeverisë dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme, e cila do të ishte zgjidhja më e dëmshme për vendin.
    Për momentin, nga asnjë subjekt politik nuk ka gatishmëri për koalicione të mundshme ndërmjet tyre për formimin e Qeverisë.
    Por, në rrethanat e krijuara, nuk duhet lënë anash ndikimin e përfaqësuesve të Misioneve Diplomatike, të akredituara në Prishtinë. Ndikimi i tyre mund të jetë i nevojshëm dhe i dobishëm për tejkalimin e situatës aktuale për ta formuar Qeverinë e re.

    Kosova nuk e ka komoditetin që në këto rrethana të merret edhe një kohë të gjatë me çështjen e zgjedhjeve, por i duhet një Qeveri e fortë, stabile, efektive, me mbështetje të mjaftueshme parlamentare, e cila merret me zhvillimin ekonomik, me zbatimin e reformave në të gjitha sferat e shoqërisë, me sigurinë e vendit, me përmbylljen e problemeve me Serbinë, si dhe me anëtarësimin e vendit në Organizata dhe në Agjenci Ndërkombëtare.

    Sali Rexhepi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit DAT

    Nga Rubrika
    Opinione28 Mars 2025
    Nga Prof. DR. Elmas Leci: Ukraina është viktima e radhës dhe e re e gjeopolitikës ruse, e asaj gjeopolitike, e cila herë...
    Opinione26 Mars 2025
    Opinion nga Drizan Shala, njohës i cështjeve të sigurisë: Lufta Hibride dhe Pasiguria Publike: Përdorimi i Destabilizimit Ekonomik, Psikologjik dhe Social si...
    Opinione26 Mars 2025
    Shkruan: Mero Baze: 24 marsi i vitit 1999 është nata e parë dhe ndoshta e fundit në këtë epokë, kur avionët e...
    Të tjera
    Sport28 Mars 2025
    Edon Zhegrova vazhdon të jetë brengë e madhe për skuadrën franceze Lille. Sulmuesi kosovar shkëlqeu në vjeshtë, por ka munguar që nga...
    Lajme28 Mars 2025
    Njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese në Kosovë e komentojnë ndryshe-ndryshe veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit...
    Lajme28 Mars 2025
    Konjufca nderon të vrarët në masakrën e familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu. Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe te varrezat...
    Lajme28 Mars 2025
    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Fisnik Ismaili, deklaroi se kishte hyrë në politikë disi si rastësisht më 2010...
    Vip28 Mars 2025
    Ish banorja e BBVK, Xheneta, ka reaguar sërish pas publikimit të bisedave me Drilonin, për të sqaruar arsyet pse i ka ndarë...
    Bota/Rajoni28 Mars 2025
    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar sot se sanksionet amerikane ndaj industrisë së naftës të Serbisë janë shtyrë edhe për 30 ditë...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.