Dyshimet se Lista Serbe e rriti iniciativën e Adriana Hoxhiqit po shihen të rrezikshme për demokracinë e vendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se është e rrezikshme për demokracinë nëse ndodh që Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi, të ketë ndikim te deputetët e pakicave jo serbe.
Kështu Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se loja e Listës Serbe me parti të caktuara cenon rendin kushtetues në Kosovë.
Sipas tij, vet fakti që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve dhe përfaqësim joadekuat i tyre.
Miftaraj: Loja e Listës Serbe me parti të caktuara cenon rendin kushtetues
“Një lojë politike mes Listës Serbe me parti të caktuara, qoftë boshnjake, qoftë rome e cenojnë në rend të parë rendin kushtetues të Republikës të Kosovës, i cenojnë parimet bazë me të cilat Republika e Kosovës përmes Kushtetutës iu garanton komuniteteve joshumicë në Kosovë të drejtën për t’u përfaqësuar nga përfaqësues legjitim, që pasqyrojnë interesin, vullnetin e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Me vet faktin që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, kjo me të vërtetë është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve, është jopërfaqësim efektiv dhe adekuat i interesave të tyre”, thotë ai.
Ai deklaron se kjo paraqet rrezik për demokracinë dhe minon parimet kushtetuese.
Miftaraj: Kjo përbën rrezik për demokracinë në Kosovë
“Kjo përbën rrezik për demokracinë në Kosovë, kjo përbënë rrezik për të minuar parimet të cilat janë të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës e që janë që përmes mashtrimeve, përmes deformimeve të marrëveshjeve të fshehta mes partive politike nga komunitet joshumicë në Kosovë, të devijohet vullneti dhe përfaqësimi efektiv i interesave të qytetarëve të Kosovës”, shton ai.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se opinioni publik por edhe Qeveria e Kosovës duhet të reagojnë në mënyrë që të pengojnë këtë lojë të rrezikshme të dirigjuar nga Beogradi përmes Listës Serbe për ndikim në Kosovë.
Baraliu: Qeveria të pengojë lojën e Listës Serbe për ndikim ndaj partive tjera joshumicë
“Do të duhej të ngritej zëri edhe i opinionit publik, edhe i këtyre komuniteteve, sidomos i qeverisë, haptazi ata po heshtin, që të reagojnë, ato janë të papranueshme dhe t’i pengojnë përmes institucioneve dhe hallkave institucionale të ndërhyhet aty ku është bërë, sepse është e qartë se ajo ka marrë më shumë vota të komunitetit serb në Partesh e në komuna në Partesh e në komuna ku nuk ka asnjë boshnjak sesa të tjerët, që është një lojë politike e lozur dhe dirigjuar nga Beogradi. Dhe, po, mund ta rrezikojë që kur të ndodh ndonjë çështje të ngritët në Kuvend nga një qeveri, e cila e ka shumicën, kot do ta ketë sepse kur bëhet votimi i dyfishtë, votimi i shumicës 2/3, votimi i 2/3 të pakicave, në fakt Lista Serbe… po del kundër interesave të Kosovës për interesa të Beogradit dhe ajo do të mund ta pengonte çdo iniciativë”, thotë ai.
Kurse,Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se çështja e komuniteteve është e rregulluar me ligj.
Spahija: Çështja e komuniteteve është e rregulluar me Kushtetutë
“Konsideroj që juridikisht qeveria duhet të sigurojë votat fillimisht për me u votu në Kuvend, dhe e dyta, për secilin ligj që është i rëndësishëm duhet të ulet dhe të ketë një bashkëpunim me secilin subjekt politik në vend. Çështja e komuniteteve është e rregulluar me Kushtetutë dhe ligj dhe votat e tyre janë të nevojshme. Mendoj që nuk kemi ndonjë nguti që çështje të tilla që nevojiten 2/3 e votave të komuniteteve janë prioritet për çështjet që duhet t’i trajtojë qeveria, së paku për këto dy vjetët e para”, thotë ai.
KosovaPress pati raportuar një muaj më parë për tendencat e Listës Serbe për të shtrirë ndikimin e saj ndaj partive tjera joshumicë, duke deklaruar se kjo e fundit do të luftojë edhe për interesat e goranëve, boshnjakëve dhe romëve, duke siguruar 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Iniciativa e ish-ministres, Adriana Hoxhiq ka thyer rekord në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, duke siguruar mijëra vota në komunat ku s’ka asnjë pjesëtarë të komunitetit boshnjak, të cilin e përfaqëson ajo.
Hoxhiq ka arritur të sigurojë rreth 6mijë e 400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke lënë jashtë Kuvendit të Kosovës, shumë parti politike që kanë përfaqësuar vazhdimisht komunitetin boshnjak në legjislativ. Kjo ka nxitur reagime të shumta edhe nga vet boshnjakët, e sidomos ish-deputetet Duda Balje dhe Emilja Rexhepi.