Ponte Prizreni ka reaguar ashpër pas vendimit të Komisarit të Garave që ndeshjen në “Sezai Surroi” ndërmjet Pontes dhe Pejës të regjistrohet me rezultat zyrtar 20:0 në favor të Pejës.
Ballafaqimi ndërmjet Pontes dhe Pejës në gjysmëfinalen e “Play-Off”-it është ndërprerë me t’u mbyllur pjesa e parë pasi dy skuadrat u përfshinë në një rrahje.
Klubi i Basketbollit Ponte Prizreni në faqen zyrtare ka reaguar ashpër përmes një komunikate duke e akuzuar komisarin e Garave, Faton Kurshumliun se vendimi ka qenë tendencioz, i një anshëm dhe pa bazë të argumentit.
Tutje në komunikatë, klubi kosovar ka bërë me dije se avokati i klubit do të përgatisë një padi penale në lidhje me këtë çështje.
KJO ËSHTË KOMUNIKATA E PLOTË E PONTE PRIZRENIT (pa ndërhyrje):
“Pas vendimit të Komesarit të garave, KB PONTE PRIZRENI del me këtë :
-Regjistrimi i rezultatit zyrtar 20:0 në favor të KB Peja nga ana e Komesarit të garave Kurshumliu është tendencioz, dhe i një anshëm dhe pa asnjë bazë e argument!.
-Vendimi si duket paska qenë i gatuar nga ai sa që hala pa filluar dita mirë e servoi atë në faqen zyrtare të FBK – së.
– Në të gjitha kompeticionet sportive, në kohën kur ushtrohet dhuna, akterët, lojtarët duhen të ndëshkohen me gabime diskualifikuese, në të njejtën kohë të merren deklarata të të apostrofuarve dhe në raportin shtesë të policisë dhen emergjencës (ndihmës së parë) të merret vendim juridik e jo vendim i tekeve të një personi i cili aq më shumë ka qenë gangrena e basketbollit për sa vite ka qenë Komesar i garave.
– Kërkojmë transparencë se nga i vërtetoi dhe identifikoi zyrtarët si tifozë dhe ku e ka dëshminë që ne ishim iniciatorë.
-Ne si klub kemi dënuar rastin, dhe kërkojmë falje publike ndaj KB Peja dhe ndaj gjithë dashamirëve të basketbollit ku do që janë. Skena të tilla asnjëhere nuk kanë qenë në frymën tonë sportive.
– Po ky komesar ishte ai që prishi edhe raportet mes dy klubeve, i cili peshën e ndeshjes pa i dhënë rëndësi delegoi gjyqtarë jo kualitativ të cilët me menaxhim katastrofik të ndeshjes e paraprijnë që fundi të jetë i dhunshëm edhe si pasojë e përfundimi erdhi: Ekipi kampion i stinorit të rregullt, të diskualifikohet nga gara, ndërsa ekipit mik i pezullon dy lojtarët kyq duke i prishur komplet imazhin e kampionatit që ishte pa dyshim më e mira në historinë e basketbollit.
KB PONTE PRIZRENI nuk do të ankohet në shkallën e dytë pasi se edhe aty, servimi do vjen i njejtë.
Por do angazhojmë avokatin e klubit z. Gent Gjini i cili do pregadisë një padi penale.
-Historikisht sukseset e klubit tonë dhe qytetit të Prizrenit, kanë qenë çdo herë jo të pëlqyera nga Kurshumlia.
-Klubi jonë është gjobitur me afro 6000€, dhe këtu ju konfirmojmë që jemi klubi ndoshta më i përpiktë për kryerjen e obligimeve. Nga arka e klubit nuk do paguajmë asnjë cent për këto dënime deri sa nuk do kemi transparencë se sa të holla kanë borgje skuadrat tjera.
-Ekipeve finaliste ju dëshirojmë suksese në finale, ndërsa së shpejti do dalim me vendimin zyrtar, për vazhdimin apo mos vazhdimin e kampionatit të ardhshëm.
-Nuk do lejojmë që gjithë investimin, djersën e mundin e sponzorëve, lojtarëve ta shuan një njeri.
Prizren 05.05.2021 , Bordi i KB PONTE PRIZRENI”.