Ka ndërruar jetë në moshën 85 vjeçare dizajneri legjendar i shumë veturave italiane, Marcello Gandini.
Gandini ishte i njohur për bashkëpunimin e tij me Lamborghinin ku ai ishte përgjegjës për dizajnimin e shumë veturave si Miura, Countach, dhe Diablo.
Gjithashtu, ai ishte projektuesi edhe i ikonave si Lancia Stratos, Bugatti EB110, dhe Fiat X1/9, shkruajnë mediat e huaja.
Dizajneri i lindur në Torino, modelet e tij më të famshme i ka krijuar ndërsa punonte në shtëpinë italiane të dizajnit, Bertone, nga mesi i viteve 1960 deri në vitin 1980.
Gjatë kësaj periudhe ai ka dizajnuar vetura si Alfa Romeo Montreal, Maserati Khamsin, Volkswagen Polo, si dhe Ferrari 308 GT4.
Modele të tjera të dukshme të Gandinit përfshijnë serinë 5 të BMW-së, Lamborghini Espada, dhe Cizeta-Moroder V16T.
Edhe më vonë ai vazhdoi të ndiqte rrugën e dizajnit. Gandini ka punuar me TaTa Motors në vitin 2017 për të krijuar TaMo Racemo, një koncept i veturës sportive i paraqitur në Motor Show.
Ai u pajis me një diplomë nderi në inxhinieri mekanike nga Instituti Politeknik i Torinos./FrontOnline/