Përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama, kanë qenë të mendimit që rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim që ka propozuar KQZ-së t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, në mesin e të cilëve është edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, të hidhet në votim.
Por, anëtarët e partive të tjera politike, përfshirë kryetaren Valdete Daka, kërkuan që të kenë kohë afër dy orë në mënyrë që Zyra për Regjistrim të sjellë dokumente shtesë mbi të cilin kanë rekomanduar dhe të procedohet me votim.
Daka ka thënë se kanë të drejtë t’i shohin dokumentet për të qenë të sigurt për atë që votojnë.
“Deri në ora 17:30 mund të vijnë dokumentet që do t’i përgatisë zyra ime. Ne shumë herë kemi kërkuar dokumente shtesë dhe kjo s’është herë e parë sepse këtu jam që 10 vjet. Anëtarët kanë të drejtë të kenë shpjegime shtesë”.
Por, Kurteshi tha se pse nuk i kanë deri më tani dokumentet që i ka pasë Daka.
“Është e drejtë ligjore që të kenë qasje në dokumentet që janë të KQZ-së. Si ka qenë e mundur të mos i shohim këto dokumente kur janë të qasshme?”.