Fotografitë e shumë të rinjve me shirit të zi dhe një libër zie anash, qëndronin edhe sot në qendër të Koçanit.
Qytetarët mes dhimbjes, heshtjes dhe lotëve, shkruanin fjalët e fundit për të rinjtë që tragjikisht humbën jetën mëngjesin e 16 Marsit.
Një ditë para varrimit të të rinjve që humben jetën në diskotekën “Pulse” qytetarët e Koçanit thonë se me humbjen e të rinjve, ndaloi edhe pulsi i qytetit, i cili tani e tutje do të kujtohet si qyteti ku humben jetën 59 të rinj.
Dëshmitarët të cilët jetojnë vetëm disa metra larg vendit të ngjarjes, për Alsat, kujtojnë orën 2 e 30 të mëngjesit të kobshëm.
Në rrjetet sociale, vazhdojnë të shpërndahen video të reja të natës së tmerrit ku shihet turma duke tentuar të shpëtojnë nga zjarri që kaploi diskotekën.
Pas ngjarjes në Koçan, qytetarët protestuan duke demoluar një veturë dhe kafenenë e dytë të pronarit të diskotekës. U protestua edhe para shtëpisë së kryetarit të komunës i cili dha dorëheqje ndërsa në vend të tij, Mirçe Stojkov do ta udhëheqë Komunën e Koçanit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.