Në NBA ishte mbrëmje surprizash. Utah Jazz kryesyesit e Konferencës së Perëndimit pësuan një tjetër humbje duke vendosur në diskutim vendin e parë. Skuadra nga Salt Lake City u mposht në Minneapolis nga Minnesota Timberwolves me rezultatin 105-104.
D’Angelo Rusell me 27 pikë dhe 12 asiste por edhe Karl Anthony Towns me 21 pikë dhe 11 rebound ishin dy më të mirët mbi parket për Timberwolves që arriti të merrte një fitore të madhe në sekondat e fundit ndaj Utah Jazz. New Orleans Pelicans ndali hovin prej 4 fitoresh radhazi të Los Angeles Clippers, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 120-103.
Kjo sfidë mori drejtim që në periodën e parë me Pelicans që ishin më lart dhe kishin më shumë dëshirë për të marrë fitoren. Zac Williamson me 23 pikë, Lonzo Ball dhe Eric Bledsoe me nga 18 pikë, ishin tre muskutierët e New Orleans në këtë sfidë që e udhëhoqën drejt suksesit. U rikthye te fitorja Los Angeles Lakers që i dha fund krizës prej 3 humbjesh rresht duke triumfuar në Florida përballë Orlando Magic me rezultatin 114-103.
Gjermani Denis Schroder me 21 pikë por edhe Anthony Davis me 18 pikë 8 rebound e 3 asiste ishin ata që morën për dore skuadrën kaliforniane në këtë duel ndërkohë që Orlando pësoi humbjen e 6-të rresht. 24 pikët e Luka Doncic nuk mjaftuan për Dallas Mavericks që u mposht në transfertën ndaj Sacramento Kings me rezultatin 113-106. Një disfatë që gjithsesi e mban Dallasin në vendin e 6-të në Perëndim pozicion që e kualifikon në fazën e dytë të play-off-it ekipin teksan./SS/