Këngëtari Luiz Ejlli është padyshim personazhi më i komentuar i momentit që me pjesëmarrjen e tij në Big Brother VIP Albania po fiton simpatinë e publikut.
Por para hyrjes së tij në spektaklin e BBVA ai ka edhe një karrierë të suksesshme muzikore dhe ndër vite ka arritur të fitoi çmime të shumta në festivalet në Shqipëri.
Fitorja në “Ethet e së Premtes”, “Kënga Magjike” dhe përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurovision 2006” janë prej sukseseve të tij më të mëdha deri më tani.
Gjithë rrugëtimin e tij deri në arritjen e këtyre sukseseve, Luizi ia rrëfeu banorëve gjatë natës së mbrëmshme (e hënë).
Artisti foli për fillimet e karrierës dhe atë se si u zbulua talenti i tij teksa po punonte si kamerier gjatë adoleshencës.
“Punoja edhe kamerier edhe si banakier se ia mora dorën, u mbushte plot se ishim afër shkollave, pronarët më dëgjojnë duke kënduar, ata kishin qëndruar duke më shikuar si juri derisa unë pastroja gotat, kur i pash fillova t’i pastroja gotat më mirë por kisha harruar që ndërkohë po këndoja, isha 16 vjeç dhe më thonë ti po këndon bukur, i thash të gjithë këndojnë, dhe më përmend dy persona, muzikantë dhe më thotë do të bëjmë muzikë live në darkë, tha po e fillojmë me miq ta bëjmë me tavolina familjare dhe filluam të këndojmë këngë të vjetra shkodrane dhe korçare, ishte i vetmi lokal që bënte muzikë live dhe mbushej plot, këndoja në darkë, pastroja gota paradite”, tregoi Luizi.
“Një ditë isha duke pastruar gotat dhe vjen një shok më thotë kanë ardhur “Ethet”, ata që të marrin në audicione dhe shkova me disa shok, hyra unë dhe nisa të këndoja dhe më thanë eja në Tiranë, një vajzë më merr numrin dhe më tha se do të marrin pas tre jave, më thirrën të shkoja pas tre jave, babai më tha bën çfarë të duash, veç kujdes, nëna më thotë leje se duan të tallen me ty, por unë shkova në Tiranë”, vazhdoi rrëfimin e tij këngëtari.
Më pas ai foli edhe për momentin kur ishte shpallur fitues në “Ethet e së Premtes”.
“Kur thanë Luizi, vetëm unë nuk e dëgjova, të gjithë e morën vesh që fitova, unë isha i bllokuar”, tha ndër tjera Ejlli.