Organizata humanitare e supermodeles Naomi Campbell është nën hetim të iniciuar nga organi për mbikëqyrjen e organizatave humanitare për shkak të dyshimit se ka pasur një sërë shkeljesh të rregulloreve që kanë të bëjnë me menaxhimin e organizatës dhe financat e saj.
Campbell lançoi ‘Fashion for Relief’ në vitin 2005 për të ndihmuar fëmijët në mbarë botën që jetojnë në varfëri, e cila ka mbledhur miliona dollarë gjatë viteve për organizimin e shfaqjeve të shumta të modës.
Komisioni tani po shqyrton nëse Naomi dhe bashkëpunëtorët e saj kanë “përmbushur detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore” dhe do të analizojë disa nga pagesat e bëra nga vetë organizata.
Sipas Guardian, organizata humanitare ende nuk e ka publikuar raportin e saj financiar për vitin 2020, që është një vonesë prej 178 ditësh, sipas regjistrit online të Këshillit të Organizatave Humanitare.
Fashion for Relief ka organizuar prej vitesh shfaqje luksoze të modës për të mbledhur para për bamirësitë e saj partnere. Më pas, në vitin 2019, ata bashkëpunuan me kryetarin e Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, për të ofruar arsim për fëmijët dhe të rinjtë me të ardhura të ulëta dhe atë vit u organizua një darkë gala në Muzeun Britanik.
Në faqen zyrtare të organizatës nuk thuhet se sa para janë mbledhur me atë rast.
Sipas të dhënave më të fundit të raportuara, Fashion for Relief mblodhi 1,722,000 funte deri në korrik 2019, kryesisht përmes sponsorizimeve. Të dhënat tregojnë se deri në 1,606,000 funte nga paratë e mbledhura shkuan për organizimin e ngjarjeve të modës dhe humanitare, marrëdhënieve me publikun dhe shërbimeve të ngjashme, dhe vetëm 5,515 funte u shpenzuan në të vërtetë për bamirësi.
Të dhënat nga i njëjti vit tregojnë gjithashtu se për shërbimet e tyre janë paguar shuma të mëdha parash për të besuarit. Kështu, Helmich mori 77 mijë funte për shërbimet e saj konsulente, dhe 15,942 funte për shpenzimet e udhëtimit. Një vit më parë, organizata kishte shpenzuar 107,000 funte për pagesat për administruesit e besuar dhe 23,000 funte për shpenzimet e udhëtimit./FrontOnline/