Swiss NanoFlowCell është një kompani që u shfaq në treg disa vite më parë me një koncept të njohur të një makine elektrike – pa bateri, e cila përdorte një zgjidhje të lëngshme si karburant. Ajo makinë nuk ishte dëgjuar për një kohë të gjatë, por tani ajo është rikthyer përsëri me emrin NanoFlowCell QUANTiNO Twentyfive.
Bëhet fjalë për një variant të një prej modeleve të propozuar nga prodhuesi, një dyulëse me çati të lëvizshme. Ky projekt ofron një alternativë ndaj makinave elektrike me bateri. Siç shkruan Revista HAK , pika më interesante e QUANTiNO Twentyfive është teknologjia bi-ION që përdor.
Për të mos instaluar bateri në makinat e tyre, të cilat janë shumë të rënda dhe kërkojnë shumë kohë për t’u ngarkuar, kompania vendosi një zgjidhje të re. Makina ka dy rezervuarë të mëdhenj të veçantë, njëri me elektrolite të ngarkuar pozitivisht dhe tjetri me anolite të ngarkuar negativisht. Të dy lëngjet përfundojnë në një membranë jonike selektive, e cila kap energjinë e gjeneruar nga takimi i të dy grimcave dhe kështu krijon energji elektrike.
Makina do të përdorte dy rezervuarë të mëdhenj, secila prej 95 litrash, të cilat do ta lejonin atë të udhëtonte rreth 1000 kilometra përpara se të kishte nevojë të rimbushej me karburant. Megjithatë, kompania thekson se në versionin e prodhimit, të dy tanket mund të reduktohen, për një distancë prej rreth 800 kilometrash.
Me katër motorë elektrikë, makinës i nevojiten vetëm 2.5 sekonda për të arritur shpejtësinë 100 km/h. Furnizimi me karburant është një nga avantazhet e tij kryesore, pasi është më i shpejtë se karikimi i baterisë, por ka edhe disa disavantazhe. Me një densitet pak më të ulët të energjisë, problemi më i madh është se për këtë sistem do të duhej të ndërtohej një rrjet i ri stacionesh mbushjeje me lëngje./FrontOnline/