Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se shërbimet për persona me nevoja të veçanta nuk po ofrohen nga shteti.
“Shërbimet neurologjike, fizike, terapia e të folurit, shërbime psikologjie dhe shumë shërbime të tjera nuk po ofrohen nga institucionet. Shteti nuk i ofron këto shërbime e familjarët nuk kanë mundësi financiare t’i paguajnë këto”, tha Nagavci.
Sipas saj, familjarët detyrohen të paguajnë në mënyrë private këto shërbime, të cilat, siç ka thënë ajo, kushtojnë jashtëzakonisht shumë.
Nagavci ka shtuar se personat me nevoja të veçanta në Kosovë nuk kanë qasje të barabartë në arsim, në punësim, në shëndetësi, në shërbime sociale e as mbështetje juridike.