Kreu i LDK-së, Isa Mustafa e ka përkujtuar veprimtarin e LDK-së, Enver Malokun në 22 vjetorin e vdekjes së tij.
“Në natën e acartë të 11 janarit 1999, tinëzisht ia ndalën punën dhe angazhimin Zërit të Lirisë, Enver Malokut. Ata që nuk e deshtën çlirimin e Kosovës, vranë veprimtarin Enver Maloku, por asnjëherë nuk e vranë dhe nuk e ndalën veprën e tij të madhe. Enver Maloku i takon plejadës së intelektualëve, gazetarëve dhe publicistëve më të guximshëm të Kosovës që nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealet e mëdha për një shtet të lirë dhe demokratik”, ka thënë Mustafa.
“I pazëvendësueshëm është kontributi i tij në drejtimin e Qendrës për Informimin e Kosovës e cila gjatë viteve të 90-a shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve, e që përmes informacioneve palëkundur, fuqishëm dhe me guxim të jashtëzakonshëm në kohën e okupimit serb, informoi dhe sensibilizoi opinionin ndërkombëtar mbi veprimet e regjimit të Millosheviqit për krimet e rënda dhe tragjike që po ndodhnin në Kosovë”, ka shtuar kreu i LDK-së.
Mustafa ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut.
“Zbardhja e vrasjes së Enver Malokut dhe veprimtarëve tjerë nuk është vetëm detyrim ndaj familjes dhe LDK-së, por është një obligim ndaj demokracisë së Kosovës, shtetit ligjor dhe drejtësisë në vendin tonë. Ashtu siç e quante Presidenti Historik Ibrahim Rugova, qoftë i përjetshëm kujtimi, për Zëdhënësin e Pavarësisë, Enver Malokun!”, ka thënë ai.