Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa zhvilloi vizitë pune në Komunën e Ferizajt, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu. Gjithashtu, gjatë vizitës takoi fermerë të zonës, blegtorë, gjedhtarë, përpunues të qumshtit dhe të frutave të imëta nga të cilët së afërmi u informua mbi situatën e tyre.
Ministri Mustafa u njoftua nga kryetari Aliu për situatën në komunë, duke venduar theksin në sektorin e bujqësisë. Ministri i MBPZhR-së tha se përmirësimi i kushteve për fermerët e Ferizajt dhe atyre të tërë Kosovës mbetet fokus i tij si ministër.
Ai njoftoi fermerët se Ministria e Bujqësisë ka vendosur t’i paguajë dy herë subvencionet, që fermerët sa më lehtë ta përballojnë situatën e shkaktuar nga Covid-19.
“Jemi këtu me një blegtor nga komuna e Ferizajt, përfitues nga Ministria e Bujqësisë, edhe në grante edhe në subvencione për të parë punën nga afër dhe për t’u njoftuar edhe me sfidat, jemi këtu edhe për të njoftuar që subvencionet sivjet do të paguajmë dy herë më shumë për të përkrahur bujqit tanë për ta kaluar vitin 2020 sa më lehtë, ka qenë një vit sfidues dhe ende është një vit sfidues për të gjithë, edhe për sektorin e bujqësisë dhe me këto dy pagesa po tentojmë që t’iu përkrahim që të tejkaloni vitin 2020 dhe në vitin 2021 të dilni edhe më të fortë”, tha ai.
Pos kësaj, ministri Mustafa tha që, ai dhe ekipi i tij pandërprerë kanë punuar që shpërndarja e subvencioneve të bëhet si duhet.
Në këtë aspekt, tha se sistemi i evaluimit për grante dhe subvencione është përditësuar deri aty sa gjasat për të manipuluar janë të barabarta me zero.
“Ndryshimin komplet të sistemit për grante që tanimë është sistem komplet online, i programuar bashkë me Bankën Botërore, duke mënjanuar të gjitha mundësitë për keqmenaxhime, dhe duke iu dhënë të gjithë fermerëve kosovar shansë dhe mundësi të barabartë me kushte dhe kritere të barabarta dhe trajtim të barabartë”, përfundoi ministri Mustafa.
Bujku Xhevat Ukatha se është i kënaqur me grantet që ka fituar.
“Unë jam i kënaqur prej Ministrisë së Bujqësisë, kemi fituar grante të mjaftueshme,, në këtë vit është dyfishuar subvencionimi”, tha ai.
Fermerët mes tjerash falënderuan ministrin Mustafa për përkrahjen e vazhdueshme, sidomos për pagesën e subvencioneve e cila sivjet po bëhet dy herë.