Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla nuk është koordinuar me kryeministrin Avdullah Hoti për emërimin e konsujve të përgjithshëm.
Mustafa tha se ka marrë vesh edhe për emërimin e ish-këshilltarit të Kadri Veselit si konsull në Frankfurt të Gjermanisë, që gjithashtu thotë se është bërë pa aprovimin e Hotit.
“Thuhet se nuk është rast i vetëm. Nga një diplomat u informova se edhe në konsullatën e Frankfurtit është vepruar njëjtë, qe flet për mungese koordinimi të MPJ me Qeverinë ne marrje te vendimeve. Kjo praktike duhet te eliminohet dhe të korrigjohet. Nuk duhet te mungoj as dhënia e përgjegjësisë”, tha Mustafa për Objektivin.
Para se të japë dorëheqje, ish-presidenti Hashim Thaçi e kishte dekretuar Gazmend Krasniqin, konsull të përgjithshëm në Frankfurt. Krasniqi ka punuar si shef i protokollit në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli (PDK), partia e të cilit tani është në opozitë.
Zyra e Presidencës në një njoftim për media kishte paralajmëruar shqyrtim të dokumentacionit për të shikuar nëse janë përfillur procedurat ligjore, porse ende nuk ka një vendim për këtë rast./FrontOnline/