Këshilli Drejtues i AAK-së në shumicë kanë kërkuar që kryetari i tyre Ramush Haradinaj të jetë president i Kosovës pasi ai aktual ta kryejë mandatin.
Këtë po e quan politikë për konsum ditor deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, duke shtuar se kjo temë është më së paku e nevojshme të trajtohet tani.
“Temat e tilla që liderët tanë i përdorin për politika ditore nuk na lënë asnjëherë që të trajtojmë çështjet që ndikojnë direkt te qytetari i Kosovës. Tema të tilla si çështja e presidentit është të shpërqendrojnë qytetarët nga temat me të cilat duhet të përballet kjo Qeveri dhe t’iu ofrojë zgjidhje. Kosova e ka presidentin dhe unë mendoj që më së paku në këtë moment është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës të flitet se kush do të jetë president i Kosovës”, tha ajo në Info Magazine.
Për vullnetin e shprehur të Këshillit Drejtues të partisë së tij, Haradinaj u shpreh i gatshëm që ta pranojë dhe postin e presidentit e cilësoi nder të madh dhe përgjegjësi.