Betim Musliu nga IKD-ja ka thënë se Qeveria Hoti nuk po mund t’i rrijë mbrapa asnjë vendimi që merr. Sipas tij, për këtë shkaktare është “mungesa e legjitimitetit”, raporton Front Online.
“Elita jonë politike sot është në një qorrsokak dhe mungesa e legjitimitetit të kësaj qeverie, po e bën thjesht të pafuqishme për të vazhduar një proces në të cilin mund të marrë vendime të cilat mund t’u rrijë mbrapa. Situata e tanishme politike, unë besoj se na ka krijuar një situatë të pafavorshme si Kosovë që të jemi ata që duhet të jemi. S’di cila duhet të jetë zgjidhja sepse pa një legjitimitet të institucioneve dhe pa këtë shumicë që mund t’i shtyjë përpara marrëveshjet për çështjet e rëndësishme sikur ajo me Serbinë, e që duhet të ketë 2/3 e Kuvendit të Kosovës, është pothuajse e pamundshme që të ketë një rezultat pozitiv”, ka thënë Musliu, në KTV.
Sipas tij, Kosova e ka pasur të vështirë të marrë vendime edhe kur ka pas ekzekutiv me më shumë vota. Ai ka thënë se tash vendit i duhet legjitimitet i ri.
“Tash për tash nevojitet besoj një legjitimitet i ri, sepse përndryshe ne në këtë situatë s’jemi në gjendje t’iu përgjigjemi edhe disa penaltive që po na krijohen sikurse në rastin e ministrit Daçiq. Sot e kemi Daçiqin një kërcënues të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve që do të zbulonin varreza masive në Serbi të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Sot ende s’kam pa një artikulim të qartë, reagim të fuqishëm që vjen së pari nga Kosova, nga institucionet tona e më pas edhe nga faktori ndërkombëtar, për t’i dhënë një përgjigje asaj që për mua është e papranueshme e shqetësuese, kur po e shohim Daçiqin që po i kërcënon ata që kanë për të zbuluar një realitet për të gjitha ato varreza, krime që janë kryer, për të sjellë më në fund drejtësi për viktimat e krimit në Kosovë. Prandaj në këtë situatë, me këto institucione, zgjidhja është tejet e vështirë dhe është diçka për të cilën nëse s’ka unitet atëherë s’di ku mund të mbërrijmë kur presioni është shumë i madh e ne s’po e dimë rrugën për gjërat e thjeshta”, ka shtuar ai.