Deputetja e PDK’së në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, në mesin e akuzave që ka hedhur për kandidatin për kryeministër nga radha e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se do jetë kryeministri i parë shqiptar “fëmijët e të cilit nuk i flasin shqip në shtëpi”.
Musliu këto deklarata i dha në seancën që po mbahet për votimin e Qeverisë. Të njëjtës iu tërhoq vërejtja për gjuhën e përdorur nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Kryeministër shqiptar, do të mbeteni në histori si kryeministër i parë shqiptar, të cilit nuk i flasin shqip në Kosovë dhe në shtëpi”, deklaroi ajo, në vazhdën e disa pyetjeve që ia parashtroi.
Tutje, kur iu tërhoq vëmendja nga Konjufca, ajo deklaroi se ishte VV’ja ajo që përcaktoi standardin e përmendjes së fëmijëve të përfaqësuesve politik.
Në seancën në të cilën janë mbledhur deputetët e Kuvendit të Kosovës së legjislaturës së tetë është votuar Qeveria Kurti, me 67 vota pro.