Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit ku po mbahet interpelanca e kryeministrit Avdullah Hoti për çështjen e personave të pagjetur tha se qeveria po abuzon me pozitën e saj duke heshtur përballë Serbisë në dialog. Musliu kritikoi qeverinë që po e lejon Serbinë të dalë në avatazh politik diplomatik para drejtësisë ndëkombëtare.
“Ata po tentojnë ta heshtin zërin tonë për të pagjeturit, ashtu si ata të heshtur shkojnë në dialog me Serbinë”, tha ajo.
Gjatë debatit parlamentar, duke iu referuar një dokumentari në RTK , ku më 21 gusht të këtij viti u paraqitën fakte për rrethanat e zhdukjes së atdhetarit Ukshin Hoti, deputetja Musliu kërkoi që ministri i drejtësisë Selim Selimi ta iniciojë hetimin e këtij rasti. Sipas Musliut kryeministri Hoti nuk duhet të dialogojë me Serbinë nëse nuk ka guxim ta diskutojë çështjen e personave të pagjetur.
“Me 21 gusht të këtij viti janë dhënë fakte të tmerrshme për Ukshin Hotin. A është marrë kjo qeveri me rastin e Ukshin Hotit? Mos u ulni në tavolinat e bisedimeve pa e hapur çështjen e të pagjeturve. Mos u frikësoni.”, tha ajo.