Ismet Munishi, trajneri i mirënjohur kosovar, i cili e drejton skuadrën e Gjilanit, e ka bërë një reagim interesant në lidhje me gabimin “trashanik” gjuhësor në trofeun e Kupës së Kosovës.
Të mërkurën në mbrëmje, u zhvillua finalja e Kupës së Kosovës në futboll, ku përballë njëri-tjetrit ishin Dukagjini dhe Llapi.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, Llapi i Tahir Batatinës triumfoi vetëm pas ekzekutimit të penalltive (3:4), raporton Front Online.
Pas ndeshjes, skuadra llapjane e mori në Podujevë trofeun e parë të fituar pas 89 vjetësh themelim. FrontOnline raportoi sot gjatë ditës se në dizajnimin e kësaj kupe është vërejtur një gabim “trashanik” gjuhësor.
Në këtë trofe, në një pjesë është shkruar: “FEDERATA e FUDBOLLIT të KOSOVËS”. Pra, në vend të shkronjës “t” është vendosur shkronja “d”, derisa saktësisht duhet të jetë: “Federata e Futbollit e Kosovës”.
Duke ironizuar me këtë çështje, Munishi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ka shkruar: “I love FooDball. I pray for you Football“, duke i bashkangjitur edhe disa “emoji” duke qeshur, formën e duarve gjatë lutjeve, topin, kupën si dhe flamurin e Kosovës”