Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Leart Paqarada ka shkaktuar bujë të madhe në opinion me vendimin e tij.
Për shkak të injorimit, mosrespektimit dhe degradimit – siç thotë ai nga trajneri Bernard Challandes, Paqarada ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga Kosova, raporton FrontOnline.
Vendimin e mbrojtësit të St. Paulit e ka komentuar edhe trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, i cili thotë se Paqaradës i është bërë e padrejtë.
“Për një trajner, futbollistët dhe tifozët janë të shenjtë. Raporti i një trajneri në kuadër të udhëheqjes me tifozët dhe lojtarët duhet të jenë speciale. Deklaratën e Leartit e shoh si dështim të trajnerit”, ka thënë Munishi në “ATV”.
“A do të kemi deklarata të tilla në vazhdim? Do ta shohim. Të pakënaqur janë edhe Edon Zhegrova dhe Bernard Berisha. Zakonisht kur ka suksese, fitoret i mbyllin të gjitha gjërat. Por, nuk ka suksese, do të kemi deklarata të tilla”, deklaroi trajneri kosovar.
“Po flas si tifoz, jo si trajner apo ish-futbollist, Leartit i është bërë e padrejtë. Nuk është vendim i ngushtëm ky i Leartit. Ai shpreh gatishmërinë për ta dhënë maksimumin kur vjen herën tjetër. Dëshira e Leartit është të jap diçka për Kosovën”, theksoi ai.
“Nuk është dëshira e tij të heshtë. Kololli është lojtar i mirë, por kur ka munguar, është zëvendësuar me Hadërgjonajn dhe Paqaradës nuk i është dhënë mundësia. E respektoj vendimin e Leartit”, shtoi Ismet Munishi./FrontOnline/