×
  • Lajme
  • Lajme

    Mungojnë të akuzuarit dhe prokurori i shtetit, shtyhet gjykimi ndaj ish-asamblistit të LVV-së dhe të tjerëve të akuzuar për huliganizëm

    FrontOnline
    07 Nëntor 2024

    Në mungesë të prokurorit të shtetit dhe të pandehurve, ish-asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, Veron Hasanit dhe Valmir Osmanajt, të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku të njëjtit po akuzohen për huliganizëm dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

    Hasani dhe Osmanaj akuzohen për huliganizëm në protestën e Vetëvendosjes më 12 tetor 2015, kurse Azemi ngarkohet për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata konstatoi se në këtë seancë mungon prokurori i shtetit edhe pse për të njëjtin u tha se ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar, por nuk dha detaje për prokurorin/en që do të përfaqësonte në seancën e sotme.

    Po ashtu, për mungesën e të akuzuarve Hasani dhe Osmanaj, gjyqtari i rastit Adnan Kamberi, njoftoi se janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

    Kurse, për të akuzuarin Azemi, gjyqtari Kamberi tha se nuk kanë pranuar fletëkthesë që sipas tij vërteton se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

    Gjyqtari Kamberi, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, të njëjtën e shtyu për një datë tjetër.

    Ndryshe, ndaj të akuzuarit Azemi është duke u zhvilluar edhe një proces gjyqësor, po ashtu për huliganizëm, sulm ndaj zyrtarëve policorë në protestat e vitit 2015.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 korrik 2016, të pandehurit Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj, akuzohen se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me veprime të dhunshme, huligane, kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policisë dhe objektit të stacionit policor Qendra, duke thyer kështu xhama dhe dëmtuar muret e këtij objekti, duke shkaktuar dëme e pasoja të rënda.

    Për këto veprime, të akuzuarit Hasani dhe Osmanaj po ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Në pikën dy të kësaj aktakuze, ish-asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, akuzohet se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me dashje dhe me veprime të dhunshme, huligane, ka hedhur mjete të forta- gurë, kuba të betonit, në drejtim të veturave zyrtare, duke dëmtuar veturën zyrtare e parkuar para objektit të Këshillit Prokurorial.

    Për këto veprime, Azemi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Nga Rubrika
    Lajme07 Nëntor 2024
    Krimet Ekonomike gjatë ditës së djeshme kanë arrestuar dy persona, pronarë të një autoshkolle, nën dyshimin për ryshfet e falsifikim dokumentesh në...
    Lajme07 Nëntor 2024
    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në takim shefin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e...
    Front TV07 Nëntor 2024
    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të...
    Të tjera
    Vip07 Nëntor 2024
    Rezi dhe Gresa janë dy konkurrentët që nga dita e parë në shtëpinë më të famshme në vend në vazhdimësi janë përplasur...
    Vip07 Nëntor 2024
    Banorja e Big Brother VIP Kosova, Gresa ka pasur një moment nervoze me Vullnetin. Ajo i ka thënë atij që të mos...
    Vip07 Nëntor 2024
    Konkurrenti i Big Brother VIP Kosova 3, Xuxi, tash e disa herë reagon ashpër pasi banorët bëjnë zhurmë pas fikjes së dritave...
    Vip07 Nëntor 2024
    Vullneti dhe Gresa pos që po ndajnë shtratin bashkë – ata po ndajnë mendime të njëjta edhe për të provokuar banorët e...
    Vip07 Nëntor 2024
    Banorja e Big Brother VIP Kosova, Xheneta ia ka hedhur birrën në trup Rovenës, derisa kjo e fundit ishte duke kënduar. Pas...
    Vip07 Nëntor 2024
    Konkurrenti i BBVK 3, Vullneti Krasniqi, ka ushtruar profesionin e tij prej gazetari edhe në shtëpi. Së fundmi ai ka ‘raportuar’ nga...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.