Komuna e Mitrovicës u bë lajm pasi kaloi nga zona e kuqe në atë të verdhë sa i përket numrit të qytetarëve të prekur me coronavirus.
Nënkryetari i komunës Faruk Mujka ka shpjeguar për RTV Dukagjinin pse u vendos ky ndryshim.
“Ne i shpjeguam ministrit Zemaj disa të dhëna që ndoshta ai mund të mos i ketë pasur. Pra ne i treguam se në komunën e Mitrovicës Jugore marrin shërbime edhe qytetarët e Komunës së Mitrovicës Veriore”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Mujka thotë se nuk kanë bërë ndonjë presion ndaj ministrit Zemaj për ndryshimin e vendimit për Mitrovicën.
Nënkryetari i Mitrovicës thotë se momentalisht në këtë komunë janë 218 raste aktive me coronavirus.
“Prej këtyre 218 rasteve vetëm këtë javë janë 128. Lajm i mirë është që nga 1 nëntori nuk ka vdekur asnjë persona nga Mitrovica si pasojë e COVID-19”.
Në spitalin e Mitrovicës për momentin janë të shtrirë nëntë persona që po trajtohen nga COVID-19, tregon më tej Mujka.