Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Arton Muhaxheri, për FrontOnline thotë se rritja prej 15% e rrymës do të jetë goditje e rëndë për qytetarët dhe bizneset kosovare.
‘’Rritja e paralajmëruar prej 15% e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët është një goditje e rëndë për qytetarët dhe bizneset, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës është tashmë e lartë’’ thotë ai.
Sipas tij, kjo do të ketë ndikime direkte në buxhetin familjar dhe atij të konkurrencës.
‘’Kjo rritje do të ketë ndikime të drejtpërdrejta në buxhetin familjar dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve, duke rritur koston e prodhimit dhe të shërbimeve. Edhe më shqetësuese është heshtja e qeverisë përballë kësaj kërkese nga ZRRE-ja’’, thotë ai.
Muhaxhiri, potencon se në vend të marrjes së masave, Qeveria po qëndron pasive, pa ofruar zgjidhje.
‘’Në vend që të marrë masa për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë, qeveria po qëndron pasive, pa ofruar asnjë zgjidhje konkrete. Në vend të heshtjes, ajo duhet të angazhohet për
të ndaluar këtë barrë të padrejtë mbi qytetarët, të kërkojë alternativa për uljen e kostove të energjisë dhe të sigurojë që rritjet e çmimeve të mos bëhen normë, por përjashtim’’ tha ai.
Alarmon opozita dhe ekspertët/ Shtrenjtimi i rrymës i “mbytë” konsumatorët